Drejtori ekzekutiv Imer Hakaj sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta me rastin e 25 vjetorit të Betejës së Koshares, në kujtim e nderim të përjetshme për 114 heronjtë rënë dëshmorë.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë me krenari. Dimensionet historike të luftës së Kosheres janë shëmbëlltyrë e krenarisë tonë të përbashkët kombëtare.
Beteja e Koshares qe u zhvillua nga 9 Prilli 1999 deri më 10 Qershor 1999, gjithmonë mbetet kujtesa jonë për historinë triumfuese dhe trashëgimia jonë e përjetshme ndër breza për mbrojtje e trojeve tona duke e kujtuar kështu me mburrje e krenari.
Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale me përkushtimi të lartë do të angazhohet në projektimin, ndërtimin, restaurimin dhe menaxhimin e memorialëve përfshirë edhe Kompleksin Memorial të Koshares, me qëllim të promovimit dhe memorizimit të sakrificës së të rënëve dhe të kaluarën e lavdishme të historisë sonë.
Kosharja është dhe mbetet altari i lirisë!