Shtatorja e Mujë Krasniqit - Klinë

 Shtatore

Mujë Krasniqi lindi më 6 qershor të vitit 1967, në fshatin Qabiq të komunës së Klinës. Ishte djalë i Halil Ajet Krasniqit, i cili në bashkëshortësi me Shehide Selimin nga Açareva, edhe pse në kushte të rënda dhe tejet të vështira ekzistenciale, ngriti familjen e tij 14 anëtarëshe me shtatë bij e pesë bija.
Muja shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmir. Ishte katërmbëdhjetëvjeçar kur filluan demonstratat e rinisë militante të marsit dhe të prillit të vitit 1981. Gjatë viteve 1983-1986 i ndoqi mësimet në Gjimnazin e Kijevës. Pati fat ta kishte profesoreshë të gjuhës shqipe veprimtaren militante, Xhevë Avdyl Krasniqi (tani dëshmore), e cila i edukonte brezat e çlirimtarëve të ardhshëm me ideale atdhetare. Më 13 janar të vitit 1994, milicët rrethojnë shtëpinë e Halil Krasniqit, futen brendë dhe kërkojnë nga ai të mësojnë se ku ndodhej djali i tij, Muja. Halili nuk tregon se ku ndodhej i biri i tij, ndërsa policët e torturojnë mizorisht në prani të familjes, në prani të bashkëshortes dhe të fëmijëve të mitur. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të trupit të dëshmorit Halit Geci nga Llausha, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi dalin publikisht para dhjetëra mijëra qytetarëve në varrim dhe shpalosin programin militant të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në luftime kundër bandave serbe dallohen Sahit Jashari nga Prekazi, Mirush Daka, Besim Morina e luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Mjetet serbe të informimit kishin pranuar humbjet dhe kishin paralajmëruar ndeshje të reja. Më 28 korrik, në vendin e quajtur Fusha e Madhe mbi Siçevë, në luftë kundër forcave serbe, Mujë Krasniqi sërish plagoset. Nga vendluftimi arrin ta tërheqë bashkëluftëtari, Izet Milazimaj.
Më 2 gusht të vitit 1998, meqë ishte i plagosur, ndodhej në shërim në shtëpinë e tij në Qabiq. Atë ditë forcat serbe kishin mësyrë Qabiqin, fshatarët dhe tërë familja e Halil Krasniqit tërhiqen në drejtim të malit. Bashkëluftëtarët e bartin në shpinë Mujë Krasniqin të plagosur, të cilin e strehojnë në mal, përballë Abrisë, në një vend të sigurt. Pasi që plagët e luftës nuk po i shëroheshin, bashkëluftëtarët parapëlqejnë që Muja të shkojë në Shqipëri për t`u shëruar dhe në të njëjtën kohë për t’u prirë në krye luftëtarëve të UÇK-së. Rënia e Mujë Krasniqit dhe e disa trimave të tjerë të elitës luftarake të UÇK-së, më 14 dhjetor të vitit 1998, edhe pse ishte goditje e hidhur për luftën tonë çlirimtare, ajo nxiti edhe më tej pezmin dhe urrejtjen kundër barbarisë serbe.
Vepra e Mujë Krasniqit do të jetë përherë burim frymëzimi për brezat liridashës.

  • Listing ID: 3747
  • Vlera e ndërtimit: 10,000.00
  • E ndërtuar nga: Komuna