Busti i Dëshmorit Qamil Ilazi - Kaçanik i Vjetër, Kaçanik
Qamili lindi më 12 tetor të vitit 1948, në fshatin Kaçanik i Vjetër, të komunës së Kaçanikut. Aty kreu shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e filloi në Ferizaj dhe e vazhdoi në Tetovë, kurse shkollën Normale e mbaroi në Shkup.Në nëntor të vitit 1968 merr pjesë në demonstratat e shqiptarëve që u zhvilluan në Tetovë. Për shkak të pjesëmarrjes në to arrestohet dhe dënohet gjashtë muaj burg. Më vonë emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes, në Kaçanik të Vjetër. Me rastin e abrogimit të Kushtetutës së Kosovës nga Beogradi, më 28 mars të vitit 1989, kudo në Kosovë filloi aplikimi i masave të dhunshme. Duke qenë se regjimi i kishte rënë në gjurmë veprimtarisë së tij, më 14 prill të vitit 1995 arrestohet dhe dënohet me 3 vjet burg. Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1998, në Llaushë të Drenicës, Qamili tanimë kishte lidhur kontaktet e para me çlirimtarët e ardhshëm të Kosovës, pjesë e të cilëve ishte edhe vetë, me tërë aktivitetin e tij paraprak, atdhetar. Pas rënies heroike të Agim Bajramit, Besnik Beguncës dhe Xheladin Kurtajn, më 10 gusht të vitit 1998, në fshatin Gabrricë, Qamil Ilazi caktohet ushtrues detyre i komandantit të njësitit të UÇK-së për Kaçanik. Më vonë, me rastin e ristrukturimit të radhëve të UÇK-së, caktohet komandant i Brigadës 162, të Zonës Operative të Neredimes, brigadë kjo që merr emrin e dëshmorit të kombit Agim Bajrami. Zëvendëskomandanti ishte eprori Hajrush Kurtaj. Më 9 prill 1999, në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, u zhvillua beteja më e përgjakshme gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në rajonin e Kaçanikut. Forcat e shumta serbe kishin depërtuar te popullata civile dhe kishin filluar të pushkatonin e të masakronin. Në luftime ballë për ballë forcave barabare masakruese, atë ditë bien në altarin e atdheut 27 dëshmorë dhe 32 martirë të lirisë. Më 15 maj të vitit 1999, Komandant Bardhi ndodhej në vendin e quajtur Veset. Papritmas fillojnë luftimet. Duke qenë se forca armike kishte sulmuar me ashpërsi dhe në befasi, në logun e luftimeve bie komandanti i Brigadës 162, Qamil Ilazi. Atë ditë kishte thithur për herë të fundit ajrin e bërë tym e barot të Kosovës, ajrin që paralajmëronte fitoren e sigurt dhe çlirimin e vendit. Në mbrojtje të komandantit kishte rënë edhe luftëtari i lirisë, Selim Shehu, ndërsa qe plagosur, Shefket Kuka.<br>
Më 9 gusht të vitit 1999, trupin e komandant Bardhit, bashkëluftëtarët e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, në vendin ku komandanti prehet në përjetësi në mesin e bashkëluftëtarëve dëshmorë.
Listing Address
Rr. Ismail Raka
Kërko Objekte
96 Listings
17 Listings
553 Listings
88 Listings
104 Listings
161 Listings
70 Listings
35 Listings
17 Listings
25 Listings
204 Listings