Busti i Dëshmorit Nuhi Mazreku - Guriq, Malishevë

 Bust

Ky bust u ndërtua në nderim të rënies heroike të Dëshmorit Nuhi Mazreku, i cili lindi më 21.04.1949 dhe ra heroikisht më 24.08.1998.
Ditën e rënies së tij, herët në mëngjes, komandant Nuhi Mazreku kupton se forcat serbe po granatojnë nga drejtimi i Bllacës, në drejtim të Bajrakut. Me t’u njoftuar për këtë, Nuhiu së bashku me disa bashkëluftëtarë nisen në drejtim të Bajrakut të Luzhnicës, për t’i shkuar në ndihmë Ismet Jasharit-Komandant “Kumanovës”. Ata nisen me një veturë të tipit “Kabriolet”, por meqë vetura nuk i zinte të gjithëve, luftëtari Gani Kastrati ulet mbi gomën rezervë. Afër 100 metra pa arritur te pozicionet e ushtarëve të tyre, mbi veturë zbrazet breshëria e armëve të armikut, i cili i kishte vënë në shënjestër. Ganiu me shpejtësi kërcen nga vetura dhe merr pozicion sulmi, por plagoset për vdekje dhe mbetet në rrugë. Në përpjekje për t’i ofruar ndihmë Ganiut dhe për ta tërhequr nga rruga ku kishte rënë, bien duke luftuar kundër forcave armike edhe Nuhi Mazreku dhe Afrim Buçaj.
Të nesërmen, më 25 gusht, herët në mëngjes, bashkëluftëtarët Ismet Jashari-komandant “Kumanova” dhe Habib Zogaj, bëjnë përpjekje për t’i marrë trupat e dëshmorëve: Nuhi Mazreku, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, por pavarësisht luftës së madhe nuk arrijnë t’i marrin kufomat dhe bien heroikisht edhe ata. Forcat armike kishin depërtuar të vendi i rënies së Dëshmorëve, në Bajrak të Luzhnicës, i marrin trupat e tyre dhe i varrosin në Shirokë të Therandës (ish-Suharekë).
Luftëtarët e brigadës “Kumanova”, në bashkëveprim me luftëtarët e Anadrinit, pas një kohe, arrijnë që trupat e Dëshmorëve t’i zhvarrosin nga varret e Shirokës dhe t’i rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, me nderime ushtarake.

  • Listing ID: 3627
  • E ndërtuar nga: Fshati