Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari - Fushë Kosovë

 Shtatore

Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skenderajit. Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo-sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me Ramiz Alinë, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Adem Jashari sëbashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë. Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale jugosllave më 22 janar të vitit 1998. Sulmi u përballua përsëri me sukses. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7,000-8,000 trupa jugosllavë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë.
Forcat Jugosllave filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes.
Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.

  • Listing ID: 2290
  • Viti i ndërtimit: 2019
  • Vlera e ndërtimit: 59,900.00
  • E ndërtuar nga: AMKMK