Busti i Dëshmorit Fatos Limani - Pogragjë, Gjilan

 Bust

Fatos Limani ka lindur më 8 janar të vitit 1978, në Prishtinë, në një familje atdhetare të prejardhur nga fshati Pogragjë i komunës së Gjilanit. Shpërthimi i luftës së armatosur dhe dalja në skenë e UÇK-së, fillimisht në Drenicë dhe pastaj edhe në zonat e tjera të Kosovës, në zemrën e Fatosit shtoi edhe më tepër vrullin e dashurisë për lirinë e atdheut. Si pjesëtar i njësitit gueril G-2 të BIA-s, Fatosi kreu aksione të shumta, në pjesën e qytetit të Prishtinës ku veproi ky njësit, duke dëshmuar shkathtësi dhe gatishmëri të lartë për sakrificë.
Ndër aksionet e tij të kësaj kohe ishte edhe fotografimi nga një largësi e caktuar, si dhe skicimi i pozicionit të kazermës së ushtrisë serbe në Prishtinë, në janar të vitit 1999. Më 31 mars të vitit 1999, ai së bashku me motrën, Leonorën dhe me vëllanë, Kastriotin, ishte në mesin e popullatës civile që po dëbohej nga Kosova. Pas rrugës së gjatë, të kaluar kryesisht në këmbë, të nesërmen arriti në Kukës, prej nga duhej të vazhdonte për në Fier. Rrugës për në Fier, në rastin e parë të kontaktit me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Kalimash, Fatosi u nda nga motra e nga vëllai, si dhe nga bashkudhëtarët e tjerë për t’iu bashkuar radhëve të kësaj ushtrie. Ai u paraqit në qendrën mobilizuese të UÇK-së në Kalimash. Në Kalimash, Fatosi u radhit në njësinë e komanduar nga eprori Binak Gashi të Brigadës 138 të UÇK-së, e cila më vonë do të emërtohet me emrin e komandantit të saj dëshmor, Agim Ramadani. Aty bëri stërvitjet dhe aftësimin e nevojshëm ushtarak, para se të shkonte në vijën e frontit.
Këtë çmim te Lirisë e paguan shumë dëshmorë të lirisë, duke i shtuar gjymtyrët e atdheut e duke i zgjatur jetën atij. Ndër ta edhe dëshmori Fatos Limani, i cili ra në fushën e nderit, më 19 prill të vitit 1999, te Rrasa e Koshares.
Rivarrimi i këtij dëshmori u bë më 16 janar të vitit 1993, në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, me ceremoni nderimi. Në shenjë mirënjohjeje e përjetësimi, një rrugë e Prishtinës është emërtuar me emrin e dëshmorit Fatos Limani. Ndërsa, në fshatin Pogragjë të Gjilanit është lokalizuar vendi ku do të ngrihet përmendorja e tij.

  • Listing ID: 1648
  • E ndërtuar nga: Fshati