Shtatorja e Dëshmorit Rasim Kiçina - Drenas

 Shtatore

Përveç shumë luftëtarëve të përkushtuar të lirisë të epopesë së luftës sonë çlirimtare, në këto radhë shquhej edhe një djalosh i guximshëm i Drenicës. Rasim Kiçina lindi më 25 gusht të vitit 1972 në një familje të varfër, por të shquar për trimëri dhe qëndresë kundër pushtuesit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij, në Baicë. Ishte i talentuar, por edhe i zgjuar në mësime. Kishte trup atleti dhe kondicion të fortë fizik. Në pranverë të vitit 1992 hip në trenin e mesditës në stacionin e Baicës dhe me disa shokë niset për në shkollë. Dy policë të armatosur fillojnë t`i kontrollojnë dhe t`i maltretojnë udhëtarët shqiptarë, duke ua kërkuar letërnjoftimet dhe duke i poshtëruar. Trupi atletik dhe mospërfillja që Rasimi kishte treguar ndaj tyre, provokoi policët. Pas shkëmbimit të disa fjalëve ters, njëri nga policët i sulet Rasimit, ndërsa tjetri e mbante në shënjestër të automatikut. Prej asaj dite të konfrontimit direkt me policinë okupatore serbe, Rasimi fillon rrugën e pakthyeshme dhe të paluhatshme të rezistencës aktive kundër forcave të pushtuesit.
Më 28 shkurt, së bashku me Musë Jasharin, Sabit Lladrovcin, Sabit Gecin, Jahir Hajdarin e të tjerë, merr pjesë në betejën që u zhvillua në vendin e quajtur Lisi Gjashtënjak, në Likoshan. Sulmi i furishëm i luftëtarëve të UÇK-së kishte paralizuar “Nivën” e policisë. Rasimi godet pandërprerë me mitralozin e tij, ndërsa Musë Jashari godet me mortajë. Gjatë luftimeve plagosen Musë Jashari, Sabit Geci dhe Sabit Lladrovci. Rasimi me disa luftëtarë tërheqin bashkëluftëtarët e plagosur. Forcat policore në shenjë hakmarrjeje i vërsulen popullatës civile në Qirez dhe në Likoshan.
Më 30 maj të vitit 1999, Rasim Kiçina, Ragip Halilaj, Jahir Demaku, Ymer Xhemajlaj, Arben Xhemajlaj e Sokol Krasniqi, nisen në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm, në Rrafshnaltë, me qëllim për t`u konsultuar lidhur me popullatën civile të Drenicës qendrore, e cila kishte mbetur e ngujuar dhe në rrethana tejet të vështira ekzistenciale, pa ushqim, pa barna dhe pa kushte minimale akzistenciale. Gjatë rrugëtimit, rreth orës 21.30 minuta Rasimi me bashkëluftëtarë bien në pritë të forcave armike në dalje të Negrocit, në rrugë drejt Arllatit. Serbët kishin identifikuar vendin nga ku shtegtonin Rasim Kiçina, Ragip Halilaj e të tjerë dhe në moment fillojnë luftimet.
Në altarin e atdheut bien duke luftuar trimërisht Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, ndërsa merr plagë të rënda luftëtari Arben Xhemajlaj.

  • Listing ID: 2449
  • E ndërtuar nga: Komuna