Drejtori ekzekutiv Imer Hakaj së bashku me stafin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, u mirëpriten nga Kryetari i Komunës së Drenasit(Gllogoc) z. Ramiz Lladrovci.
Tema kryesore e diskutimit në këtë takim ishte gjetja e mundësive institucionale dhe ligjore për vazhdimin e projektit me rendësi historike, memorialit në vendin e rënies së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci. Duke vlerësuar lartë realizimin e këtij projekti pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe për historinë e vendit tonë, AMMKM ka buxhet të planifikuar për vitin 2024, 2025 dhe 2026.
Në takim po ashtu u diskutua shqyrtimi i mundësive buxhetore në AMMKM, për përfshirje të varrezave të dëshmoreve në Gllanasellë, në procedurë të mirëmbajtjes.
Drejtori Hakaj mes tjerash theksoi së angazhimi i gjithë stafit të AMMKM-së do të jetë me i shtuar me qëllim të promovimit të kaluarës së lavdishme të historisë së Kosovës, përmes ndërtimit të memorialeve në gjithë vendin dhe prezantimin e mirëfilltë të vlerave të luftës.
Memorizimi dhe promovimi i historisë, do vazhdoj të jetë zotim i përbashkët me MKRS-në si përgjegjëse për promovim dhe prezantim të kësaj historie dhe vetëm bashkë e me përkushtim të lartë do të bëjmë punë të mira për vendin.