Drejtori i AMMKM-së z. Imer Hakaj së bashku me stafin e tij, priti në takim Kryetarin e Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura

Sot, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM), z. Imer Hakaj, së bashku me stafin e tij, priti në takim Kryetarin e Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura. Gjatë këtij takimi, z. Nura e uroi drejtorin Hakaj për punën e palodhshme dhe angazhimin e AMMKM-së në memorizimin dhe promovimin e historisë së lavdishme të popullit tonë, duke shprehur mbështetje të plotë për projektet e agjencisë.
Nga ana e tij, z. Hakaj deklaroi se thellimi i bashkëpunimit me komunat është një nga prioritetet kryesore të AMMKM-së, me qëllim që të adresohen në mënyrë të drejtë dhe ligjore kërkesat dhe nevojat në terren.
Gjatë këtij takimi, u diskutuan disa projekte të cilat janë realizuar dhe janë në realizim si:
– Ngritja e Pllakës Përkujtimore për Daljen e Parë të UÇK-së në Llaushë– Një iniciativë historike për të nderuar momentin e rëndësishëm të daljes së parë publike të UÇK-së në Llaushë, Skenderaj.
– Njoftimi për përfundimin e ndërtimit të Shtatores së Dëshmorit dhe Heroit Rifat Mziu – Ky projekt i Agjencisë synon përjetësimin e figurës së dëshmorit të kombit, me ngritjen e një shtatoreje në Skenderaj.Po ashtu u dakorduan që të bëhet zgjedhja e lokacionit sa më parë për vendosjen e shtatores dhe është diskutuar iniciativa e Agjencisë për Shënjezimin e të gjitha Komplekseve Memoriale dhe koordinimin e vazhdueshëm me shoqatat e dala nga lufta e shenjtë e UÇK-së,dega në Skenderaj.
– Nga drejtori Hakaj është kërkuar bashkëpunimi dhe koordinimi për adresimin e çështjes së shitësve ilegal në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” – Prekaz , në bashkëveprim me institucionet qendrore.Të dy palët shprehën përkushtimin për të bashkërenduar veprimet e tyre me Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore me qëllim adresimin e sfidës së shitësve ilegalë pranë Kompleksit Memorial në Prekaz.
Gjithashtu z. Nura shprehu iniciativën e tij për të riprojektuar dhe ndërtuar Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj,dhe kërkoj nga z. Hakaj që të realizohet bashkëfinancim mes AMMKM-së dhe Komunës së Skenderajt.
Z. Hakaj falënderoi kryetarin Nura për vizitën, duke shprehur gatishmërinë për të bashkërenduar të gjitha iniciativat e Komunës së Skenderajt me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrin Çeku për bashkëpunim të mëtejshëm në realizimin të gjitha e projekteve të reja, të cilat do të kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore.