Përfundon Projekti Memoriali i Martirëve në Çikatovë të Re

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, së bashku me stafin e agjencisë, realizoi sot një vizitë në Memorialin e Martirëve në Çikatovë të Re. Kjo vizitë shënon përfundimin e projektit dyvjeçar të realizuar në këtë vend të shenjtë, ku prehen martirët e vrarë gjatë luftës së fundit dhe viktimat e zhdukura me dhunë, trupat e të cilëve u gjetën më vonë në Serbi dhe u rivarrosën me nderim në këtë memorial.
Memoriali në Çikatovë të Re përfshin varrezat e martirëve, një pllakë përkujtimore, një mur muzeal dhe hapësira përreth, të krijuara për të respektuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe për të ndihmuar brezat e ardhshëm të njohin historinë.