Vendi i Rënies së Dëshmorëve: Mirali Sejdiu, Hebib Sejdiu dhe Skender Salihu - Smirë, Viti
Më 5 prill, rreth orës 9.00, me forca të mëdha ushtarake e paraushtarake u sulmua fshati Smirë. Që në orët e para të mëngjesit fshati ishte rrethuar nga makineria e rëndë luftarake serbe. Fshati ishte stërngarkuar edhe me popullsi të fshatrave tjera. Sipas skenarit, tani më të njohur serbë, u bë granatimi i fshatit. Njësitë speciale serbe pastaj u futën në fshat, duke shti me armë të rënda zjarri për të krijuar panik te popullsia. Popullsia e fshatit, e frikësuar nga banditët e maskuar, të armatosur edhe me armë të ftohta, sëpata e thika (shumica prej tyre ishin serbë lokal), morën arratinë. Në dalje të fshatit, në anën jugore, forca tjera ushtarake serbe u dalin të përndjekurve në pritë. Popullsia civile, tani më ishte në mes tytave të ushtarakëve (nga ana jugore) dhe thikave të paramilitarëve serbë (nga ana veriore). U krijua një tollovi e paparë. Të njëjtën ditë, popullsinë e zhvendosur e kthejnë me dhunë në fshat. Gjatë ditës u vranë: Mirali Ymri Sejdiu 26 vjeç, Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç dhe Skënder Saqip Salihu, kurse Ramadan Kadri Berati 40 vjeç u rrah për vdekje nga paramilitarët, me 15 prill kur u zhvendosën smirasit për herë të dytë.
Deshmorët të rënë heroikisht me 5 Prill të vitit 1999 nga forcat serbe, Mirali Sejdiu, Hebib Sejdiu, Skender Salihu, janë ngritur në piedestal duke mos menduar për veten, por duke e vënë jetën në shërbim të atdheut e interesin e kombit përmbi çdo gjë tjetër.
Ata ranë njëzetenjë vite më parë, në ofenzivën e ushtrisë pushtuese serbe.
Kombi sot iu është mirënjohës për kontributin atdhetar dhe sakrifcën për liri.
Sot shkolla e fshatit Smirë me krenari mban emrin e tyre “Dëshmorët e 5 Prillit”, e poashtu atyre u janë ngritur lapidar, u janë kushtuar vargje, poezi, këngë, valle e vepra tjera.
Kështu do të mbeten përgjithmonë të paharruar dhe të nderuar në zemrën dhe mendjen e secilit.
- Listing ID: 2090