-Në xhirimet e realizuara me dron, shihet në mënyrë të detajuar Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Familja Jashari ishte pikë kyçe e sulmit të forcave serbe qysh nga viti 1991 duke vazhduar kështu me sulme të tjera në janarin e vitit 1998 dhe sulmi i fundit më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ku edhe u vranë 59 anëtarë. Sulmi i befasishëm ishte i përgaditur me shumë armatim nga forcat serbe me gjithsej 7-8 mijë trupa të cilët kishin rrethuar lagjen e Jasharajve.
Në mesin e familjes, kishte shpëtuar Besarta (Hamëz) Jashari e cila sot, përpos që mbijetesa e saj quhet një mrekulli, ajo qëndron si dëshmia më e fortë e barbarisë serbe.
-Investimet e para në Kompleksin Memorial të familjes Jashari u financuan nga “Fondacioni për ngritjen e Kompleksit Përkujtimor të Familjes Jashari – Prekaz” që ishte krijuar gjatë vitit 1999-2000.
Me investime të mëtutjeshme vazhdoi Komuna e Skenderajit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës përmes ish Ministrisë së Mjedisit dhe Plainifikimit Hapsinorë, investime këto që u zhvilluan gjatë vitit 2006 – 2013.
Me krijimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, u vazhduan edhe investime të tjera në Kompleks ku edhe sot vazhdon me mirëmbajtjen e tij.
Me aprovimin e ligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ky Kompleks ka kaluar në kompetencë të Komitetit Ndërministrorë i formuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.