Pikërisht në ditën e Çlirimit të Drenasit, u bë edhe zbulimi i shtatores së Heroit të Kombit, humanistit e mjekut të Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës, Dr. Hafir Shala.
Dr. Hafir Shala u lind në Krajkovë të Drenasit.
U diplomua në Universitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Mjeksisë së Përgjithshme.
Për veprimtari politike atdhetare burgoset në periudhën 1985-1989.
Ishte veprimtar i të gjitha organizimeve atdhetare në shërbim të lirisë së Kosovës, duke filluar nga Lëvizja Popullore e Kosovës deri te ajo për Pajtimin e Gjaqeve.
Po ashtu, ishte themelues i ambulancave të Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Drenas si dhe njëri nga të parët e UÇK-së dhe mjek i saj.
Më 10 prill 1998, arrestohet nga regjimi policor serb dhe që atëherë mbetet i zhdukur.
Ai u përjetësua në bronz, në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare ku edhe mban emrin e tij “Dr. Hafir Shala”, Drenas.
Ky projekt u financua nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.