Shpella e fshatit Topillë, e ashtuquajtur “Shpella e Lakuriqëve”, nga ky vit do të kalojë në menaxhimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK) ku do të bëhet restaurimi dhe konservimi i saj.
Qëllimi i AMKMK-së është që të hartojë një projekt për konservimin dhe restaurimin e saj për t’i ruajtur vlerat e luftës së lavdishme të UÇK-së dhe dëshmitë e saj.
Ekipi i caktuar nga AMKMK së bashku me zyrtarë komunal të Shtimes, vizituan këtë shpellë me qëllim të njohjes së hapsirës ku gjindej shpella.
Në shpellë janë bërë intervenime të ndryshme mjeksore (operacione) për t’iu shpëtuar jetën ushtarëve të plagosur ku shihen ende edhe sot disa nga gjërat që kishin mbetur gjatë strehimit të tyre të përkohshëm brenda shpellës.
Njëra nga ngjarjet më të rëndësishme:
Në këtë vend 23 vite më parë (12 maj 1999), Njësiti Special i UÇK-së i Zonës Operative të Nerodimes, i udhëhequr nga Gazmend Bytyqi, ka bërë tërheqjen e suksesshme të të plagosurve.
Një natë më parë (11 maj 1999), ishin tërhequr në fshatin Rancë mbi 50 të plagosur mirëpo 6 të tjerë kishin mbetur të plagosur rëndë ku njëri prej të cilëve kishte ndërruar jetë, Dëshmori Muhamet S. Kabashi i njohur me nofkën “Kelota”.
Ky njesit i vogël prej 10 pjestarëve të UÇK-së dhe 15 rekrutë të paarmatosur, kanë arritur të nxjerrin nga rrethimi unazor i kësaj zone nga forcat policore dhe ushtarake serbe.