25 vjetori i Masakrës së Studenicës të 13 prillit të vitit 1999

Drejtori ekzekutiv Imer Hakaj sot mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga Komuna e Istogut dhe Organizatat e Dala nga Lufta, dega në Istog, me rastin e 25 vjetorit të masakrës së tmerrshme ndaj anëtarëve të Familjes Lipaj, Zeqiraj dhe Mehaj në Studenicë të Istogut.
Në këtë aktivitet përkujtimor, drejtori Hakaj të pranishmëve iu drejtua si në vijim:
“E nderuara familja Lipaj, Zeqiraj dhe familja Mehaj.
Të nderuar përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e shenjtë e UÇK-së dega në Istog dhe shumë i respektuar kryetari i komunës së Istogut dhe miku im z.Ilir Ferati dhe Nënkryetar i Komunës z. Ali Nimaj dhe gjithë të ju pranishëm.
Sot në kujtim të 25 vjetorit të Masakrës së Studenicës të 13 prillit të vitit 1999, si Drejtues i Agjencisë Ekzekutive për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memorialeve ndajmë dhimbjen bashkë me ju në ceremoninë përkujtimore, e cila u organizua nga organizatat e dala nga lufta shenjtë e UÇK-së dhe Komuna e Istogut dhe do të jemi përherë së bashku në kujtim të martirëve të vrarë e masakruar një çerek shekulli më parë në fshatin Studenicë të komunës së Istogut.
Martirët e Kaminicës, Studenicës janë një nga shumë fshatrat e Kosovës në të cilin 25 vite me parë regjimi i Millosheviçit kreu krime gjenocidi kundër popullatës tonë.
Nga këtu kërkojmë dhe çdo here do të bëjmë thirrje që drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare, duhet të i sjellë para përgjegjësisë ata që urdhëruan dhe e kryen Masakrën e Studenicës, por edhe për të gjitha masakrat e tjera gjithandej Kosovës, sepse vetëm me dënimin e atyre përgjegjësve do të mund të arrihet shuarja e plagëve të familjarëve që i humben me të dashurit e tyre.
Martirët e masakrës së Studenicës përjetësisht do të kujtohen në memorien kolektive të shoqërisë sonë. Lavdi Martirëve të Studenicës dhe gjithë Martirëve të Kosovës; Nderime familjeve Lipaj, Zeqiraj, Mehaj dhe gjithë juve qe sot po ndani dhimbjen me këto familje; Lavdi dëshmoreve të Istogut dhe gjithë Kosovës; Lavdi Luftës Heroike të UÇK-së, Nderime të përjetshme Invalideve të luftës së UÇK-së; Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe Luftën tonë të Shenjtë për lirinë e vendit tonë.”
Në këtë aktivitet nga organizatorët ishin përgatitur mirënjohje për familjarët e të rënëve, ndarjen të cilave e bëri edhe Drejtori Ekzekutiv i AMMKM-së.
Lavdi luftës heroike të UÇK-së dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.