Shtatorja e Dëshmorit Qamil Ilazi- Kaçanik

 Shtatore

Qamili lindi më 12 tetor të vitit 1948, në fshatin Kaçanik i Vjetër, të komunës së Kaçanikut. Aty kreu shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e filloi në Ferizaj dhe e vazhdoi në Tetovë, kurse shkollën Normale e mbaroi në Shkup.Në nëntor të vitit 1968 merr pjesë në demonstratat e shqiptarëve që u zhvilluan në Tetovë. Për shkak të pjesëmarrjes në to arrestohet dhe dënohet gjashtë muaj burg. Më vonë emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes, në Kaçanik të Vjetër. Me rastin e abrogimit të Kushtetutës së Kosovës nga Beogradi, më 28 mars të vitit 1989, kudo në Kosovë filloi aplikimi i masave të dhunshme. Duke qenë se regjimi i kishte rënë në gjurmë veprimtarisë së tij, më 14 prill të vitit 1995 arrestohet dhe dënohet me 3 vjet burg. Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1998, në Llaushë të Drenicës, Qamili tanimë kishte lidhur kontaktet e para me çlirimtarët e ardhshëm të Kosovës, pjesë e të cilëve ishte edhe vetë, me tërë aktivitetin e tij paraprak, atdhetar. Pas rënies heroike të Agim Bajramit, Besnik Beguncës dhe Xheladin Kurtajn, më 10 gusht të vitit 1998, në fshatin Gabrricë, Qamil Ilazi caktohet ushtrues detyre i komandantit të njësitit të UÇK-së për Kaçanik. Më vonë, me rastin e ristrukturimit të radhëve të UÇK-së, caktohet komandant i Brigadës 162, të Zonës Operative të Neredimes, brigadë kjo që merr emrin e dëshmorit të kombit Agim Bajrami. Zëvendëskomandanti ishte eprori Hajrush Kurtaj. Më 9 prill 1999, në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, u zhvillua beteja më e përgjakshme gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në rajonin e Kaçanikut. Forcat e shumta serbe kishin depërtuar te popullata civile dhe kishin filluar të pushkatonin e të masakronin. Në luftime ballë për ballë forcave barabare masakruese, atë ditë bien në altarin e atdheut 27 dëshmorë dhe 32 martirë të lirisë. Më 15 maj të vitit 1999, Komandant Bardhi ndodhej në vendin e quajtur Veset. Papritmas fillojnë luftimet. Duke qenë se forca armike kishte sulmuar me ashpërsi dhe në befasi, në logun e luftimeve bie komandanti i Brigadës 162, Qamil Ilazi. Atë ditë kishte thithur për herë të fundit ajrin e bërë tym e barot të Kosovës, ajrin që paralajmëronte fitoren e sigurt dhe çlirimin e vendit. Në mbrojtje të komandantit kishte rënë edhe luftëtari i lirisë, Selim Shehu, ndërsa qe plagosur, Shefket Kuka.
Më 9 gusht të vitit 1999, trupin e komandant Bardhit, bashkëluftëtarët e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, në vendin ku komandanti prehet në përjetësi në mesin e bashkëluftëtarëve dëshmorë.

  • Listing ID: 2042
  • E ndërtuar nga: Komuna dhe Donatorët