Shtatorja e Isa Boletini - Mitrovicë

 Shtatore

Mbiemri origjinal i familjes Boletini, është Maksutaj, nga fisi shalë, të vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga morën edhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, dhe arratisjet e tij nga turqit e serbët përralla. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane.
Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t’i zbatonte me përpikmëri. Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore antiosmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912.
Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë. Bëhet fjalë mbase për një sekuencë, së cilës fare pak i afrohen versione të ngjashme të historisë botërore, qofshin të hiperbolizuara nga fantazistë. Ja skena e papërsëritshme: “I futur në kurth, Isa Boletini qëllohet nga të gjitha anët me plumba, por nuk bie teksa arrin të qëllojë deri në fund mbi ekzekutorët e vet. I bërë sallatë nga predhat, ai nuk shtrihet, nuk nxjerr zë, nuk dridhet, nuk bën asnjë hap pas, si të ishte prej shkëmbi. Dikur plagët e rrëzojnë në gjunjë, por sërish ai arrin të mbajë armën në duar duke qëlluar… Dhe në momentin që dora e djathtë i copëtohet, e kalon revolen në të majtën…”.
Isa Boletini i dha kuptim luftës së kosovarëve për Shqipëri të përbashkët.Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.

  • Listing ID: 2141