Lapidari i Dëshmorit Mehdi Zabeli - Stanoc i Epërm-Lumadh, Vushtrri

 Lapidar

Mehdi Zabeli u lind në Prishtinë, më 16.3.1968, prej ku, pas një kohe të shkurtër, familja e tij u shpërngul në fshatin Lumëmadh të komunës së Vushtrrisë.
Në maj të vititi 1998 u inkuadrua në UÇK, në rajonin e Qyqavicës. Fillimisht u angazhua në detyrën për organizimin dhe zbatimin e aksioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të planifikuara nga shtabi i saj lokal i ngritur në Trimor (ish-Zhilivodë). Shërbeu në fshatin Hamidi, pastaj në Bokën e Shishmanit të malësisë së Gjakovës.
Një ndër aksionet më të rëndësishme të kësaj kohe, ishte sulmi në Hamidi, ku kishte marrë pjesë edhe Mehdiu, nën komandën e Jashar Jasharit, me ç’rast pjesëtarët e UÇK-së kishin bllokuar një pizgauer të policisë serbe dhe kishin vrarë të gjithë kriminelët brenda tij. Që nga ai moment, Mehdiu me bashkëluftëtarët ishin nisur për përtej kufirit shqiptar-shqiptar me qëllim furnizimi me armatim. Pas shumë vështirësive Mehdiu arriti përtej kufirit në fshatin Hoxhaj të Tropojës, ku pas furnizimit me armatim, niset të kthehet në Kosovë. Për shkak të kushteve të rënda të udhëtimit, Mehdiu u sëmur, prandaj u detyrua të shtrihet në spitalin ushtarak në Tiranë.
Në ndërkohë grupi i luftëtarëve nga treva e Vushtrrisë ishte mobilizuar të kthehej nga Kruma në Kosovë dhe pasi në Vlahnë bashkohet me grupin e luftëtarëve nga Reka e Keqe, niset për në Kosovë. Njërin grup të luftëtarëve e përbënin: Avdi Zabeli, Bekim Klinaku dhe Avni Semiri. Mehdiu mbeti me grupin e dytë, i cili mori rrugën për në Bajram Curr. Sikurse grupi i parë i luftëtarëve të nisur në drejtim të Kosovës, edhe grupi ku ndodhej Mehdiu, në zonën kufitare ndeshi në rezistencën e egër të forcave serbe, por megjithatë më datën 29.3.1999 ia doli të kalojë në Shishman të Bokës të malësisë së Gjakovës. Aty luftëtarët e lirisë bien prap në pritën e organizuar nga armiku, ku u zhvillua betejë e ashpër, me ç‘rast u plagosën Mehdi Zabeli, Jashar Jashari, Naim Lata e dhjetëra bashkëluftëtarë të tjerë. Mehdiun e plagosur në këmbë, bashkëluftëtarët Mustafë Krasniqi dhe Xhafer Bytyçi e kishin bartur rreth tri kilometra, mirëpo për shkak të gjakderdhjes së madhe nuk arriti të mbijetojë. Ai vdiq po në atë datë, më datën 29.3.1999. Së bashku me të në altarin e lirisë ranë edhe dëshmorët Jashar Jashari e Naim Lata nga treva e Vushtrrisë dhe disa luftëtarë nga rajoni i Rekës së Keqe të Dukagjinit.
Mehdiu u varros në varrezat e Gjakovës. Rivarrimi i trupit të tij u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë. Ai la pas vetes bashkëshorten, Xheziden, me fëmijët Zekriun e Gentritin.

  • Listing ID: 2437
  • E ndërtuar nga: Familja, Komuna
  • Nr parcelës:: P-70202011-00435-0