Busti i Dëshmorit Sadri Vishaj - Beleg, Deçan

 Bust

Dëshmori Sadri Vishaj u lind më 31 maj të vitit 1970, në fshatin Beleg të Deçanit.
Në Shtator të vitit 1998 në Bjeshkët e Nemuna shumë civilë të plagosur ishin nisur të gjejnë shpëtim përtej kufirit. Por në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, ushtria serbe kishte zënë pritat. Vullnetarë për të prirë dolën luftëtarët Sadri Vishaj, Xhevat Sejfijaj nga Gllogjani, Shpëtim Bobi nga Lybeniqi dhe Rexhep Nikçi.
Në luftime të rrepta, të zhvilluara kundër ushtrisë jugosllave dhe njësive speciale serbe, më 11 shtator 1998, luftojnë deri në frymën e fundit heroikisht e bien pranë njëri-tjetrit luftëtarët e lirisë Sadri Vishaj, Xhevat Sejfijaj e Shpëtim Bobi.
Të tre as sot nuk prehen në vendlindjet e tyre. Dëshmitarët thonë se trupat e tyre janë bartur me helikopter nga forcat ushtarake serbe dhe janë varrosur në livadhet e Plavës. Por deri më sot, ndonëse kanë kaluar kaq vite, edhe pse familjarët e tyre kanë trokitur në shumë dyer, trupat e tyre ende vazhdojnë të mbahen peng. Ata kanë një ditërënie, më 11 shtator 1998, kanë një emër të përbashkët: dëshmorë lirie. Sadriu ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë gruan Hasimen dhe dy vajzat, Mirandën dhe Sarandën, e cila u lind pas rënies së babait dëshmor.

  • Listing ID: 2849
  • E ndërtuar nga: Komuna