Shtatorja e Dëshmorit Jetë A. Hasani - Shtime

 Shtatore

Pikërisht në Godanc të Epërm, më 2 shkurt të vitit 1956, lindi Jetë Hasani, djali i Azizit dhe i Hatixhës. Gjyshi i tij, Jetë Hasani ka qenë luftëtar i shquar i Organizatës Nacionaldemokratike Shqiptare, i dënuar dhe i përndjekur nga pushteti komunistit. Më 28 nëntor të vitit 1993, Jetë Hasani, së bashku me disa bashkëveprimtarë, në Krojmir, kishte themeluar grupin vendor, i cili më vonë do të veprojë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Grupi u betua para flamurit kombëtar dhe u zotua se do të luftojë derisa të çlirohej Kosova nga pushtuesi serb. Më 14 qershor të vitit 1998, rreth orës 16.00, Jeta merr pjesë në sulmin mbi kolonën e ushtrisë dhe të policisë serbe në vendin e quajtur Te Ura e Sahitit, në Carralevë, kolonë kjo e cila me mjete të motorizuara ish nisur në drejtim të fshatrave të Drenicës.
Më 19 qershor të po atij viti, Jetë Hasani me disa luftëtarë të tjerë patrullonin në rrugët e Carralevës. Spoti filmik i CNN-it, që kishte incizuar Jetën dhe luftëtarët e tij në vëzhgim e patrullim, ishte ritransmetuar në shumë rrjete televizive botërore. Në periudhën kohore prej 21 qershorit e deri me 25 korrik të vitit 1998, Jetë Hasani, me njësitin e tij sulmues ka goditur pikat e armikut në Carralevë.
Më 16 tetor të vitit 1998, ishte në krye të detyrës në Shalë. Atë ditë, disa fshatarë të Shalës kishin vërejtur një veturë civile një polic serb të uniformuar i cili gabimisht ishte futur në zonën e luftës, që kontrollohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fshatarët e lajmërojnë Jetën dhe Ajvazin, të cilët me shpejtësi lëshohen në ndjekje të policit serb. Ata arrijnë ta godasin veturën e policit, i cili mundi të ikte nga Rusinovci në drejtim të Magurës. Në orën 11:30 të po asaj dite, Jeta plagoset rëndë në krye të detyrës. Bashkëluftëtari i tij, Ajvaz Karpuzi, me të shpejtë arrin ta dërgojë Jetën e plagosur në Spitalin Ushtarak të Shalës. Edhe pse mjekët Jakup Ismaili, Fitim Selimi dhe Abdullah Fazliu bënë gjithçka për t’ia shpëtuar jetë, kjo ishte e pamundur, pasi plagët ishin shumë të rënda. Në orën 13:00 të 16 tetorit të vitit 1998, Jetë Hasani për herë të fundit e thith ajrin e Drenicës, e cila ishte përflakur nga zjarri i luftës çlirimtare.
Pas luftës, në tetor të vitit 2000, trupi i dëshmorit Jetë Hasani rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Mollopollc.

  • Listing ID: 3352
  • Viti i ndërtimit: 2007
  • E ndërtuar nga: Bashkëfshatarët