Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari - Lipjan

 Shtatore

Më 28 Nëntor të vitit 1955, në kullën e njohur për besë, atdhetari e njerëzi të Shaban Jasharit, në Prekaz, pikërisht në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kishte lindur një fëmijë mashkull, të cilin, nënë Zahideja dhe babë Shabani e pagëzuan me emrin, Adem, me emrin më të njohur të Biblës, me emrin që simbolizon njeriun e parë të krijuar nga Hyji.

Ai kishte lindur në një ditë të shënuar, andaj edhe prindërit e pagëzuan me një emër të njohur. Një emër i cili më vonë do t’ i bashkohet datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe emrave më të shquar e më të sakrifikuar të asaj historie.

Ditëlindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, i shtuan historisë së re shqiptare edhe dy data të tjera në kalendarin e datave më meritore dhe më me rëndësi për tërë kombin. Më 5. 6 e 7 mars të vitit 1998, në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…

Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, legjendën e Halil Patronës, Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekujt, të heroizmit njerëzor. Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.
Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin Adem jashari.

  • Listing ID: 3782
  • E ndërtuar nga: Komuna