Lapidari Dëshmorit Haradin A. Bajrami "Dinamiti" - Rreze, Lipjan
Haradin Bajrami, djali i Asllanit dhe nënë Sadijes, u lind në fshatin Rreze (ish – Leletiq), të Lipjanit. Ishte pjesëtar i një familje të varfër fshatare, por e njohur për trimëri dhe kundërvënie ndaj regjimit okupator serb.
Shkollën fillore e kreu në Magurë. Në qershor 1998, Haradin Bajrami inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asokohe në pikën e Blinajës komandonte, Shukri Buja, ndërkohë që në luftë për çlirimin e Kosovës ishin angazhuar edhe shumë veprimtarë të fshatrave rreth Blinajës e më gjerë nga komuna e Lypjanit, si Heset Sahiti nga Poturovci, Xhavit Koxhani nga Ribari Madh, mjeku Fitim Selimi nga fshati Banullë e shumë të tjerë. Haradin Bajrami ka marrë pjesë në luftimet, që forcat ushtarake dhe policore serbe kanë zhvilluar kundër pikave të UÇK-së, në Vërshec, Leletiq dhe në Blinajë, në korrik të vitit 1998.
Pas masakrës serbe në fshatin Reçak të Shtimes, më 15 janar të vitit 1999, ku kishin rënë 11 luftëtarë të lirisë dhe ishin masakruar mizorisht 42 pjesëtarë në radhët e popullatës civile, Haradin Bajrami me luftëtarët e tij, në shenj hakmarrje kanë sulmuar forcat serbe në Blinajë. Serbët kishin minuar terrenin ku konsideronin se kalonin gjatë natës luftëtarët e UÇK-së të cilët po ashtu minon terrenin e forcave serbe. Më 2 prill të vitit 1999, Haradin Bajrami ndodhet me togën e tij në vendin e quajtur “Ligata e Madhe” në Blinajë. Papritmas bie në fushë të minuar ku merr plagë të rënda. Në fushën e minuar kishte rënë edhe ushtari Driton Grantolli nga fshati Shalë (ish-Sedllar), i cili po ashtu lëndohet. Bashkëluftëtarët e tërheqin Haradin Bajramin nga fusha e minuar dhe e dërgojnë në ambulancën e fshatit Shalë, ku ndodhej edhe mjeku i luftës, Fitim Selimi. Përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën kishin qenë të kota, meqë Haradini kishte marrë lëndime vdekjeprurëse.
Bashkëluftëtarët dhe familja e dëshmorit, ia kanë vënë pllakën përkujtimore në hyrje të fshatit Rreze. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi Komunal i Lypjanit. Në shenjë përkujtimi për veprën heroike të dëshmorit Haradin Bajrami, rruga prej udhëkryqit të Lypjanit deri në qendër të qytetit, te Stacioni Policor, është emërtuar me emrin e këtij dëshmori.
- Listing ID: 3825
- Viti i ndërtimit: 2020
- Vlera e ndërtimit: 20,000.00
- E ndërtuar nga: Komuna
- Nr parcelës:: P-71409040-00038-0