Shtatorja e Heroinës Myrvete Maksutaj- Pejë
Kjo shtatore u ndërtua në nderim të dëshmorës dhe heroinës Myrvete Maksutaj.
Njëra prej të rejave, e cila iu përgjigj me devotshmëri kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,për liri, ishte edhe Mervete Maksutaj nga fshati Orrobërdë i komunës së Istogut. Mervetja ka lindur më 10 prill të vitit 1978 në një familje me bujari tradicionale. Shkollën fillore, Mervetja e kreu në Banjë të Istogut. Në kohën kur ajo e kreu këtë fazë të shkollimit, pushtuesi serb e kishte ndaluar funksionimin legal të shkollës shqipe, prandaj shkollën e mesme e mbaroi në fshatin Vrellë, në një shtëpi-shkollë. Edhe në këto kushte mësimi, Mervetja ishte dalluar si nxënëse e sjellshme dhe punëtore.
Një kuptim të ri, jetës së Mervetes i kishte dhënë dalja e UÇK-së në skenën e hapët dhe shpërthimi i luftës së armatosur në Drenicë. Epopeja e komandantit legjendar Adem jashari dhe e familjeve jashari në Prekaz, në mars të vitit 1998, e kishte bërë edhe më të papërmbajtur shpirtin kryengritës të vajzës, Mervete Maksutaj.
Më 11 korrik të vitit 1998, Mervetja u inkuadrua në radhët e UÇK-së, në kuadrin e brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Në betejat që zhvilloi kjo brigadë, gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998, Mervetja u shqua për trimëri dhe shkathtësi të rrallë. Ajo mori pjesë në aksione sulmi mbi policinë serbe në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit. si në Broliq, Çallapek, Bellacerkë, Jabllanicë e Gjakovës e të tjera.
Në vjeshtë të vitit 1998, komanda e Zonës Operative të Dukagjinit kishte orientuar përpjekjet e saj për shtrirjen e organizimit të njësiteve të UÇK-së edhe në pjesën verilindore të Rrafshit të Dukagjinit, përkatësisht në disa pjesë të territorit të komunës së Burimit e të Klinës. Mervetja ishte angazhuar drejtpërdrejt rreth këtij organizimi, i cili rezultoi me formimin e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.
Pas formimit të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Mervetja aktivitetin e saj ushtarak e zhvilloi kryesisht në zonën e veprimit të kësaj brigade. Ajo kreu shumë aksione kundër forcave pushtuese, tashmë si një ushtare e rryer në beteja.
Më 4 dhjetor të vitit 1998, Mervetja kishte marrë përsipër edhe misionin për lirimin nga duart e armikut të disa bashkëluftëtarëve të saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, ishin kapur nga këta trupa dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore. Në mesin e këtyre bashkëluftëtarëve ishin Afërditë Zekaj, Naim Lushi e të tjerë.
Këtu Myrvetja në një përballje me armikun, bie heroikisht.
- Listing ID: 8866
- Viti i ndërtimit: 2021
- Vlera e ndërtimit: 58,020.60 Euro.
- E ndërtuar nga: AMKMK
- Nr parcelës:: 05092-2