Kompleksi Memorial Zona e Interesit të Veçantë "Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së" - Kleçkë-Divlakë, Lipjan

 Kompleks Memorial

Hapësira prej 1,500.29 ha në Komunat e Lipjanit, të Malishevës dhe Drenasit, për shkak të rolit dhe kontributit të dhënë gjatë Luftës së vitit 1998-1999, me vendim të Qeverisë së Kosovës, shpallet zonë e interesit të veçantë. Vlerat kulturore të territorit që e përkufizon ZIV-në “SHP-UÇK – Kleçkë dhe Divjakë”, janë të identifikuara me sakrificën dhe rezistencën e gjeneratave të hershme, që i kanë zhvilluar në kuadër të lokacioneve të ndryshme të kësaj zone. Në këtë aspekt, vlen të theksohet posaçërisht lokacioni në Divjakë (selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së), ku që nga fund vitet e 80-ta kanë gjetur strehë udhëheqësit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ishte kjo lëvizje që i organizoi dhe i mbështeti demonstratat e vitit 1989, dhe më vonë ishte boshti kryesor i lëvizjes guerile, që kulmoi me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tutje edhe me avancimin e saj në ushtri të organizuar në gjithë hapësirën e Kosovës. Përveç vlerave të larta që pati në organizimin e luftës së UÇK-së, kjo zonë pati edhe rendësi të madhe për mbrojtjen e popullsisë civile, ku në këto zona gjetën strehim rreth 80 mijë qytetarë civilë gjatë luftës.

Trashëgiminë e luftës e përbejnë disa objekte dhe grupe objektesh në këto zona:

 

  1. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së – Divjakë;

Për shkak të pozitës së mirë gjeografike e cila gjendet në pjesën qendrore të maleve të Berishës, si dhe pozitës së mirë gjeostrategjike dhe ushtarake, në këtë zonë është vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kjo zonë ka pasur lidhje të mira komunikimi me të gjitha brigadat brenda ZIV-së “Shtabi i përgjithshëm – Kleçkë-Divjakë” si dhe me zonat tjera operative që kanë vepruar në tërë Kosovën. Një pjesë e fshatit Divjakë, gjatë periudhës së luftës ka shërbyer si seli e Shtabit të  Përgjithshëm të UÇK-së. Në kuadër të tri objekteve ka vepruar Drejtoria Operative, Drejtoria e Shërbimit Informativ, dhe drejtoritë tjera të rëndësishme. Në pjesën lindore të kësaj zone gjendet pjesa tjetër e vendbanimit, ku shtëpitë e tyre kanë shërbyer si spitale ushtarake, ku ka qenë e vendosur njësia speciale e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, si dhe furra e bukës e cila ka përgatitur ushqim për njësitet e saj. Vlen të theksohet se në periudhën e fund viteve të 80-ta pikërisht ky lokacion ka shërbyer si vendqëndrim i udhëheqësve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

Në kuadër të kësaj zone janë:

  1. Selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së;
  2. Objekt ushtarak;
  3. Shërbimi për siguri;
  4. Njësia speciale;
  5. Poligoni i ushtrimeve.

 

  1. Shtabi i Brigadës 121- Kleçkë

Në Kleçkë ka qenë selia e Shtabit të Brigadës 121 të UÇK-së “Ismet Jashari – Komandant Kumanova”. Në këtë lokacion ka vepruar edhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku janë mbajtur takime të ndryshme të udhëheqësve të luftës me diplomatë evropianë dhe amerikanë. Nga këtu për herë të parë në media televizive (për Televizionin Shqiptar) është deklaruar zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Jakup Krasniqi. Në lokacionin në Kleçkë, në pronën e familjes së Hafir Shalës, është bërë edhe xhirimi i Betimit të UÇK-së, që është transmetuar në të gjitha mediat botërore.

 

 

 

  1. Varrezat e Dëshmorëve – Kleçkë;

Kjo zonë shtrihet në zonën kadastrale të Malishevës. Varrezat e dëshmorëve janë rregulluar dhe rrethuar e afër tyre është ngritur lapidari madhështor me simbolikën e Portës së Lirisë. Brenda saj gjenden varrezat e dëshmoreve, obelisku, objekti administrativ, gjelbërimi, ndriçimi, flakadani, shtigjet dhe vetura e komandant Kumanovës që e kishte përdorur për nevojat e luftës. AMKMK-ja është duke investuar në rrethojën e cila ishte dëmtuar tërësisht që 22 vite pas luftës, dhe po ashtu edhe në hyrjen nga mbrapa bashkë me rrugicat.

 

  1. Shtabi i Brigadës 121 – Luzhnicë

Në këtë fshat ishte i vendosur shtabi i zonës të cilën e komandonte Ismet Jashari – Kumanova. Pozicionet e tij ishin vendosur në Qafë të Dulës për ti penguar forcat serbe të hynin në zonën e bjeshkës së Berishës, e sidomos pengimin e depërtimit tek Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë.  Sot e kësaj dite aty gjendet shtëpia ku ishte i vendosur Shtabi, ku pas rënies së Komandant Kumanovës, forcat serbe kanë hyrë dhe e kanë djegur shtëpinë. AMKMK-ja disa herë kishte tentuar të intervenojë në konservimin e objektit, por pronari nuk kishte lejuar pa u shpronësuar prona. AMKMK-ja do të intervenojë në konservimin e këtij objekti sapo të krijohen kushtet.

 

  1. Spitali Ushtarak – Divjakë

Këtu, që nga viti 1997 e deri në përfundim të luftës, në njërën prej shtëpive të kësaj lagjeje, ishte vendosur Spitali i UÇK-së. Në këtë spital kishte pajisje mjekësore, mjekë të profileve të ndryshme dhe kryheshin operacione të ndryshme. Në këtë spital, përveç ushtarëve, trajtohej edhe popullata civile e strehuar në malet e Berishës. Këto objekte janë restauruar dhe konservuar nga AMKMK-ja dhe këtë vit do të fillojnë të mirëmbahen.

 

  1. Objekti i Qeverisë së Përkohshme – Novosellë

Në fshatin Novosellë, si objekt i rëndësisë së veçantë (shtëpi private), është shtëpia ku ka vepruar “Selia e përkohshme e Qeverisë së Kosovës”, e cila e ka kryer  funksionin dhe detyrat e saj gjatë vitit 1999 . Këtu janë mbajtur takime të ndryshme të udhëheqësve të QPK-së me diplomatë të huaj, ku vlen të veçohet takimi i udhëheqësit të QPK-së dhe UÇK-së, Hashim Thaçit, me diplomatin amerikan, zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, z. James Rubin.

 

  1. Radio “Kosova e lirë” dhe Agjencia e lajmeve “KosovaPress” – shtëpi muze

Më 4 janar të vitit 1999, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në këtë zonë janë themeluar dy institucionet e para dhe të vetme informative të luftës – Radio “Kosova e lirë” dhe Agjencia e lajmeve “KosovaPress”. Për shkak të rëndësisë së madhe gjatë luftës çlirimtare që e ka luajtur ky institucion informativ si dhe në ruajtjen e të gjitha mjeteve që janë përdorur në periudhën e luftës, është ndërtuar shtëpia muze e Radios “Kosova e lirë”. Objekti është ndërtuar në vitin 2000-2001 në afërsi të lokacionit fillestar të Radio “Kosova e lirë”. Veprimtaria e këtyre dy institucioneve informative është zhvilluar në fshatin Berishë, ndërsa në periudha të caktuara është zhvendosur në lokacionet përreth, pasi antena dhe teknika tjetër e transmetimit të radios dhe agjencisë me dhjetëra herë ka qenë cak i sulmeve ajrore të forcave serbe. Andaj, sektori i informimit pranë SHP-së së UÇK-ës, një pjesë të aktivitetit informativ e ka kryer në malin Pallanik në bunkerët e rregulluar enkas për Radion “Kosova e lirë”.

 

  • Listing ID: 5556
  • Viti i ndërtimit: 2012-2022
  • Vlera e ndërtimit: 1,170,000.00 Euro- MMPH, 2,090,249.36 Euro AMKMK
  • E ndërtuar nga: MMPH dhe AMKMK
  • Nr parcelës:: 1654-0, 859-0, 1768-0, 213-0, 169-0, 429-0, 02358-0, 173-0, P-71409075-00076-0, 00499-0, 00457-1, 00175-0