Shtatorja e Shkëlzen Haradinaj - Pejë

 Shtatore

Dëshmori Shkëlzen Haradinaj ka lindur më 25 mars të vitit 1970, në Gllogjan. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në fshatin Rrezarë. Meqenëse nevojat ekonomike të familjes kërkonin angazhimin e tij, Shkëlzeni nuk kishte mundësi të vazhdonte studimet. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, në vitet 90, ai ndihmoi të atin, i cili punonte në një dyqan, në Rrezarë. Vorbulla e lëvizjes së rezistencës kombëtare, të cilën, si kudo në Kosovë edhe në këtë pjesë të saj, e kishte çelikosur gjaku i bijve të kësaj treve, dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Shkëlzenin e tërheq që në moshën e hershme të rinisë. Përveç vëllezërve, Ramushit e Dautit, të cilët, po ashtu ishin bërë pjesë e kësaj lëvizjeje, në rrethin e shokëve të tij të idealit bënte pjesë një numër i madh të rinjsh, ndër të cilët, përveç vëllezërve Luanit e Ramushit, edhe Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Gazmend Mehmetaj, Bujar Haradinaj, Ali Haxhosaj, Myrtë Zeneli, Agron Mehmetaj, Naser Brahimaj, Lahi Brahimaj e atdhetarë të tjerë.
Në fillim të prillit të vitit 1999, kur në trevën e komunës së Deçanit e të Gjakovës u zhvilluan luftime të ashpra, Shkëlzeni organizoi tërheqjen e ushtarëve të plagosur në drejtim të Burimit (ish-Istogut), ku vepronte brigada 133 “Adrian Krasniqi”. Në këtë rast ai komandoi njësinë e pararojës për të mundësuar transferimin e këtyre ushtarëve në një terren më të sigurt. Disa ditë më vonë, Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet u kthye në malet e Maznikut, ku ndodhej e strehuar popullata civile, e cila ishte vënë nën rrethimin e armikut. Ai fillon luftimet për të çarë këtë rrethim. Në shkëmbim të zjarrit me armikun, më 16 prill të vitit 1999, bie për lirinë e Kosovës, për të cilën kishin luftuar shumë breza atdhetarësh shqiptarë. Në të njëjtën fushë të betejës, nga plumbat e armikut ranë edhe dëshmorët Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj dhe Hasim Halilaj, që të tre nga fshati Gllogjan.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj është shembull i luftëtarit trim e i heroizmit atdhetar. Figura e tij shndrit si yll i përjetshëm në qiellin kombëtar shqiptar

  • Listing ID: 2263
  • E ndërtuar nga: Komuna