Shtatorja e Dëshmorit Shemsi Ahmeti - Mitrovicë

 Shtatore

Shemsi Ahmeti u lind më 8. 6. 1969 në fshatin Kodër (ish-Zasellë) të komunës së Mitrovicës. Ishte i gjashti prej fëmijëve të prindërve, Arif e Hajrie Ahmeti. Kishte vëllezërit Haxhiun, Hakiun, Bekimin, Bashkimin e Blerimin dhe motrën Fatmiren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në fshatin Shupkovc. Në Beograd regjistroi gjimnazin ushtarak, në vitin 1982, drejtimin e përgjithshëm dhe e përfundoi në Sarajevë. Akademinë e Lartë të artilerisë e kreu në Zarë. Në vitet ’90-të të shekullit 20, Shemsiu komandoi një kompani artilerike në Vërshac. Ai ishte dërguar në luftën serbo-kroate, pas shpërthimit të saj në vitin 1991. Ishte detyruar të marrë pjesë në beteja, që nga Knini deri në Vukovar, ku fitoi një përvojë të madhe luftarake. Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, Shemi u mobilizua në radhët e UÇK-së, më 22.6.1998, në Bare të Shalës së Bajgorës. Stërvitjen e kreu në Trepçali. Dispononte armët personale, revole, kallash, snajper dhe top dore.
Fillimisht ishte angazhuar si komandant kompanie në Trepçali. Mori pjesë në betejën e Mazhiqit (11 korrik – 15 shtator 1998). Ndërkaq, pas rënies së nënkomandantit për Logjistikë të Zonës operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe plagosjes së komandantit Zymer Halimi, më 3 janar 1999, komanda e Brigadës mori vendim që Shemsi Ahmeti të emërohet komandant i Njësisë Speciale për ZOSH, të cilën e komandoi deri më 26 prill 1999, ku ra heroikisht në betejën e Majdanit. Më 13 mars 1999, me urdhër të komndës së Brigadës, në koordinim edhe me njësitet e tjera ushtarake, Shemsiu me njësitin e tij, nga Kodra e Trepçalive sulmon bazën ushtarake serbe në Kutllovc.
Shemsiu mbajti vijën e frontit në relacionet Trepçali – Shkëmbi i Bletës – Melenicë – Lagja e Cenaj – Majdan, deri në momentin e rënies së tij heroike, më 26 prill 1999. Më 26 prill kishin vazhduar luftimet në lagjen Cenaj dhe në Kodrën e Majdanit, me ç’rast bien heroikisht Rrustem Hyseni – Historiani, Ahmet dhe Xhemajl Haxha dhe Asllan Cimili. Pas çlirimit, trupi i dëshmorit Shemsi Ahmeti u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve, në Shipol të Mitrovicës.
Familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Komanda e ZOSH-it, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve e institucione të tjera.
Dëshmorit Shemsi Ahmeti i është ngritur përmendorja në qendër të qytetit të Mitrovicës, dërsa me emrin e tij është emërtuar një rrugë e Mitrovicës, si dhe Shkolla Fillore e fshatit Shupkovc.

  • Listing ID: 2131
  • E ndërtuar nga: Komuna