AMMKM fillon realizimin e projektit të rëndësisë së veçantë “Shtëpia-Shtab i UÇK-së” në Zhegoc-Gjilan.

Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në kuadër të investimeve kapitale që po realizon këtë vit, dje ka filluar realizimin e projektit të rëndësisë së veçantë, ndërtimin e memorialit “Shtëpia-Shtab i UÇK-së” në Zhegoc-Gjilan.

Me rastin e fillimit të punimeve drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale z.Imer Hakaj i shoqëruar me zyrtarë të AMMKM-së mori pjesë në vënien e gurthemeli të këtij projekti me ç’ rast deklaroi se realizimi i këtij projekti është një investim i nevojshëm për atë zonë duke vlerësuar lartë sakrificën dhe kontributin e dhënë për lirinë e vendit.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësuese të familjes së dëshmorit Pajazit Ahmeti, familje kjo që përveç sakrificës sublime të birit të saj, ka dëshmuar po ashtu angazhimin në të gjitha format për lirinë e vendit, respektivisht familja Ahmeti lëshoi shtëpinë për nevojat e UÇK-së.

I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së z. Muhamet Bilalli i cili u deklarua falënderues dhe mirënjohës për investimet që AMMKM po bënë në gjithë vendin si dhe për bashkëpunimin e mes të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale lidhur me memorizimin e së kaluarës sonë përmes ndërtimit dhe restaurimit të memorialeve të ndryshme.

Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale me mbështetjen dhe koordinimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdoj angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj në mënyrë që e kaluara jonë e lavdishme të prezantohet në formën e duhur për historinë tonë dhe gjeneratat e ardhshme.