Filloi Konservimi i Shtëpisë ku u Krye Masakra e Fshatit Paklek të Drenasi

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës filloi punimet për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Fadil Muçollit, ku u vranë dhe u dogjën 53 shqiptarë civil, ndër ta 23 fëmijë, nga mosha 6 muajshe deri në moshën 17 vjecare. Në këtë shtëpi si dëshmi e asaj çfarë ka bërë okupatori serb mbetet gjaku i viktimave, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon te jetë i njomë. Ai gjak qëndron si dëshmi e terrorit që përshkruan Fadili, i cili në këtë masakër humbi: prindërit, katër motrat, gruan me tre djemtë dhe një vajzë, si dhe kunatën me dy vajza, bashkë bashkëfshatarët e tjerë. Nga kjo masakër kishte mbetur vetëm hiri i viktimave të pafajshme. Si pasojë, ai hi ishte varrosur në një varrezë të përbashkët e cila sot gjindet si memorial në këtë fshat.

     Fadili shprehu mirënjohjen e tij për këtë intervenim në shtëpinë dhe historinë e familjes së tij. Përkundër dhimbjes së madhe për humbjen e familjes në mënyrën më mizore, atij iu kthye shpresa se gjurmët e krimit ndaj familjes së tij do të ruhen.
Sakrifica e fshatarëve të këtij lokaliteti si dhe e shumë ngjarjeve mizore që kanë ndodhur në Kosovë tregojnë historinë e tmerrit të popullit tonë për liri. Kjo është një dëshmi ndër shumë të tjera, që dëshmojnë se sa shtrenjtë e paguam lirinë.

Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!