Hapet Muzeu ‘Qëndresa Heroike e Jasharëve për Liri’

Në 18-vjetorin e luftës së lavdishme të Jasharëve, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, ka hapur të enjten Muzeun “Qëndresa heroike e Jasharëve për Liri” në Prekaz.

Shumë eksponate, kryesisht të familjes Jashari dhe të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, paraqesin fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së lavdishme të Jasharëve para 18 vjetësh dhe qëndresën e Jasharëve në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe.

Sipas Idriz Blakajt, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, ky muze do të jetë një mundësi më tepër që vizitorë të shumtë të Prekazit ta kompletojnë pasqyrën e asaj që ndodhi këtu me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. “Këtu, 18 vite me parë, u ndez flakadani i parë i lirisë për tu përhapur me shpejtësi rrufeje në tërë Kosovën dhe mbarë trojet etnike. Këtu komandanti legjendar Adem Jashari, me bacën Shaban me Hamzën dhe Jasharë të tjerë dhanë shembullin me domethënës se si jetohet dhe vdiset për liri dhe atdhe.”

E ndërkaq, njerëzit që merrnin pjesë në hapje të ekspozitës vlerësuan se akti i trimërisë dhe sakrificës sublime të komandantit legjendar Adem Jashari me familje, është shembull i rrallë në botë, që tregon se si duhet të vdiset për atdhe, liri, dinjitet dhe humanizëm njerëzor botëror.

“Lufta në Prekaz ishte një kushtrim i përgjithshëm për luftë të hapur frontale, e cila më pas do të zhvillohej përgjatë dy vjetëve deri në çlirimin e vendit”, konstatoi tutje ideatori i këtij muzeu z. Sadik Krasniqi.

Eksponatet e vendosura në Muzeun e Jasharëve në Kompleksin Memorial në Prekaz ndahen në tri grupe: eksponate tredimensionale, fotografi dhe dokumente, harta dhe shtypin e kohës, precizoi z.Krasniqi.

“Aty janë të ekspozuar edhe një mori dokumentesh, harta dhe gazeta të kohës që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe luftën e Jasharëve dhe të ikonës së luftës së UÇK-së, Adem Jashari”. Poashtu, ai shtoi se aty janë ekspozuar mbi 50 eksponate të ndryshme të familjes Jashari me motive nga bujqësia, etnologjia, amvisëria, rezistenca dhe nga krimet serbe. Gjithashtu janë ekspozuar mbi 100 fotografi që pasqyrojnë rrjedhën e aktiviteteve para luftës dhe gjatë luftës të lagjes ‘Jashari’, duke përfshirë edhe 59 fotografitë e dëshmorëve të Jasharëve që ranë në luftën e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës.

Ndërkaq, vizitorët me kënaqësinë më të madhe ishin përqendruar tek motori (motoçikleta) me të cilën lëvizte komandanti legjendar, Adem Jashari, i vendosur në një kënd të këtij muzeu. Të gjitha eksponatet janë vendosur prapa xhamave, kështu që vizitorët nuk kanë mundësi t’i prekin.

Muzeu “Qëndresa Heroike e Jasharëve për Liri”, i cili është hapur në Kompleksin Memorial në Prekaz, të enjten, siç u tha edhe në hapje, “ka rëndësi jo vetëm kulturore, historike e shkencore, por ngërthen në vete porosinë dhe mesazhin për opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe mundëson që flijimi i popullit shqiptar për liri të vlerësohet dhe të trajtohet pozitivisht nga qarqet e vendosjes”.