Kushdo që e thotë që në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek të Drenasit !

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shumë qytetarë kanë bërë homazhe sot në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të komunës së Drenasit.

Muaj prill është muaj i përvjetorëve të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë masakra të kryera nga Serbia, ndaj popullit në gjithë Kosovën.

Të pranishëm me dhimbje të madhe ishin familja Muqolli, familjarë të tjerë të të rënëve në masakrën e Poklekut si dhe Teuta Ymer Elshani, që kurrë nuk reshten së treguari të vërtetën për këtë masakër dhe kurrë nuk reshten së kërkuari drejtësi.

Po ashtu janë bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër, në të cilin vend ka ndodhur me 17 prill të 1999 një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë.