Dita e Çlirimit të Komunës së Istogut, Përurimi i Lapidarit të Dëshmorëve në Istog

Sot, në shënimin e 24 vjetorit të Çlirimit të Komunës së Istogut, u bë përurimi i Llapidarit të Dëshmorëve të kësaj Komune ku përveç qytetarëve të Istogut, morën pjesë edhe përfaqësues të Institucioneve Shtetërore, Organizata të dalura nga Lufta si dhe Familjarë të Dëshmorëve.
Në këtë ceremoni, fjalim rasti patën disa nga përfaqësuesit e Institucioneve, përfshirë edhe z.Besim Mulaj, përfaqësues i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale.

Fjalimi i z.Mulaj për ditën e Çlirimit të Komunës së Istogut si dhe për përurimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Istog:

“I nderuar Kryetar i Komunës z. Ilir Ferati, të nderuar përfaqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale, të dashur familjarë të dëshmorëve, invalidëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar të pranishëm.
Fillimisht më lejoni të përcjell përshëndetjen dhe mirënjohjen e Drejtorit të Agjencisë z.Bislim Zogaj për këtë aktivitet. Jam shumë i lumtur që sot, në 24 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Istogut, po flas para jush pikërisht në përmbyllje edhe të një obligimi më shumë ndaj kontributdhënësve të lirisë sonë. Përurimi i këtij lapidari është vlerë kushtimisht e vogël në krahasim me kontributin dhe lavdinë e atyre të cilëve po u dedikohet, pra është një hap i vogël institucional që po e bëjmë ne si Agjenci, në memorizim të historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë projekt dhe projektet e të tjera të kësaj natyre, Agjencia synon në vazhdimësi t’i realizoj qëllimet e saja në promovim dhe shënjimi të historisë sonë për NE dhe PËRJETËSISHT për gjeneratat e ardhshme. Në këtë drejtim, ju njoftoj se si Agjenci në kuadër të realizimit të shumë projekteve, kemi edhe projektin e mirëmbajtjes tash e tutje të këtij memoriali dhe po ashtu memorialit “Ibrahim Rugova” që gjendet përballë nesh.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve, pavdekësia e tyre tashmë ka shënuar historinë!
Urime Ditën e Çlirimit dhe ju faleminderit për vëmendjen!”.

Ky lapidar, që u ngrit në nderim të të rënëve për liri, u ndërtua nga Komuna e Istogut në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale.