Takim në Komunën e Gjilanit për Vazhdimin e Projektit të Muzealizimit të Shtëpisë Muze në Zhegoc

Drejtori i AMMKM-së, z. Imer Hakaj, dhe z. Muhamet Billalli, koordinator i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, vizituan Komunën e Gjilanit dhe u takuan me Kryetarin, z. Alban Hyseni, për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit në zbatimin e fazës së tretë të projektit të AMMKM-së për funksionalizimin e Muzealizimit të Shtëpisë Muze në Zhegoc.
Qëllimi kryesor i vizitës zyrtare të z. Hakaj ishte koordinimi dhe planifikimi i përbashkët për finalizimin e projekteve, duke u fokusuar në nisjen e perbashket te Kompleksit Memorial “Kodra e Dëshmorëve”. U theksua nevoja për një qasje të mirëplanifikuar dhe një zbatim të saktë të kontratës për këtë kompleks në Komunën e Gjilanit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte shqyrtimi i projekteve të reja që AMMKM-ja ka në proces realizimi, përfshirë vendosjen dhe shënjëzimin e vendeve të rënies së dëshmorëve.
Drejtori Hakaj theksoi se angazhimi i AMMKM-së do të jetë edhe më i shtuar dhe konkret gjatë vitit 2025, me qëllim promovimin e historisë së lavdishme të Kosovës përmes ndërtimit të memorialeve në mbarë vendin dhe prezantimit të vlerave të luftës e sakrificës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Memorizimi dhe promovimi i historisë do të mbeten angazhim i përbashkët i AMMKM-së dhe MKRS-së, si institucione përgjegjëse për ruajtjen dhe prezantimin e kësaj historie. Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni, falënderoi Drejtorin e AMMKM-së dhe stafin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkushtimin e tyre në projektet për nderim të të rënëve.