Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, z. Imer Hakaj, së bashku me stafin e tij, priti në takim Kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Qëllimi i këtij takimi ishte falënderimi nga Kryetari Elezaj për realizimin e suksesshëm dhe profesional të projektit për Kompleksin Memorial në Grabanicë, duke vlerësuar qasjen bashkëpunuese që nga fillimi e deri në përfundimin e zbatimit të projektit. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë për hartimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, në përputhje me Ligjin për Komplekset Memoriale dhe aktet përcjellëse, duke shqyrtuar gjithashtu opsionet për bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Klinës dhe AMMKM-së.
Një nga temat ishte projekti për shenjëzimin e rënieve të dëshmorëve dhe shënjimin e vendeve në nder të personave të zhdukur në Kosovë. Po ashtu, u theksua rëndësia e mirëmbajtjes dhe ruajtjes së Kompleksit Memorial në Grabanicë, duke u shqyrtuar mundësitë për përmirësimin e kushteve dhe funksionalitetit të këtij kompleksi.
Kryetari Elezaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj AMMKM-së dhe Drejtorit Hakaj për punën e shkëlqyer të kryer në Kompleksin Memorial të Grabanicës, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e agjencisë për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike të Luftës së Shenjtë për Liri.