Zbulohet Lapidari në nderim të të Vrarëve në 22 vjetorin e Masakrës së Burgut të Dubravës

Masakra e burgut të Dubravës që nisi me 19 dhe kulmoi me 24 maj 1999 ishte njëra ndër krimet me makabër të fund shekullit të kaluar.
I planifikuar, organizuar dhe implementuar nga shteti serb, ku u shkelën të gjitha Konventat ndërkombëtare mbi të drejtat të burgosurve.

22 vjet më parë, ky oborr kishte një pamje krejtësisht tjetër. Pranverë e përgjakur. Krim mbi krimet ndaj njerëzve duarlidhur e barkzbrazur, të pa ngrënë e të keqtrajtuar çdo ditë, me jetën në fije të perit të cilën ua morën në formën më mizore.

Sot e për cdo vit, i kujtojmë me dhimbje e me mallë. Për 22 vjet me radhë, u gjykuan e vazhdojnë të gjykohen shumë luftëtarë të lirisë, por kryesit e kësaj masakre nuk u dënuan kurrë, ndonëse dihen me emër e mbiemër.

Në ceremoninë për përurimin e Lapidarit në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës z. Bislim Zogaj, sqaroi detajet rreth këtij projekti si dhe ndau disa momente të përjetimit si ish i burgosur dhe i mbijetuar nga Masakra e Burgut të Dubravës.
Ai po ashtu tha se gjatë realizimit të projektit si dhe mbledhjes se informacioneve të sakta dhe të detajuara, mund të ketë gabime. Si rrjedhojë e kësaj ai ftoi të gjithë familjarët e të vrarëve, të plagosurit dhe të mbijetuarit për bashkpunim për eliminimin e ndonjë gabimi eventual duke plotësuar apo ndryshuar emrat e pasaktë.

Më pas, fjalën morën Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu,
Kryetari i PDK-së z. Enver Hoxhaj, Kryetari i AAK-së z. Ramush Haradinaj si dhe një ndër të mbijetuarit e Masakrës së së Dubravës,
njëherit dhe ndër themeluesit e UÇK-së z. Nait Hasani.

Pas fjalimeve u bënë nderime pranë lapidarit nga institucionet, këshilli organizativ si dhe nga familjarët ku këta të fundit, shfrytëzuan rastin të gjejnë emrat e gravuar të pjestarëve të tyre të familjes që përjetuan Masakrën.