Shtatorja e Dëshmorit Ilaz Kodra - Drenas

 Shtatore

Ilaz Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në Prekaz. Klasët e para të shkollës fillore i kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, gjimnazin, i ka kryer në Skënderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak në armatën jugosllave e ka kryer në Slloveni.
Ilaz Kodra mbante kontakte ilegaliteti me komandantin Adem Jashari dhe me pjesëtarët e bërthamës së parë çlirimtare të Drenicës. Ata, në vitin 1991 kishin kaluar kufirin edhe ishin futur ilegalisht në Shqipëri, me qëllim për t’u stërvitur dhe për t’u armatosur.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile, duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt. Popullata liridashëse e Drenicës gjallonte nëpër gryka malesh, nëpër lugina lumenjsh dhe shpeshherë nën qiell të hapur.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. “Atë mbrëmje isha edhe unë me të, – thotë bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Zenun Kodra. Ditën që shkuam atje ishte vonë. Komandanti më urdhëroi që të ndaloja në Shtuticë ndërsa vetë me disa bashkëluftëtarë u nis për në Vërboc. Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”.
Në Zonën Operative të Drenicës, më 30 prill të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës, të cilën po e masakronte mizorisht ushtria dhe policia serbe kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Komandanti i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci në zonën Operative të Drenicës.
Ilaz Kodra ka qenë trim. Ai ka marrë pjesë edhe në sulmin kundër policisë serbe në Drenas, (ish-Gllogoc) ndërkohë që ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në Drenicë deri në ditën e rënies së tij, në fshatin Shtuticë më 30 prill të vitit 1999.

  • Listing ID: 2451
  • E ndërtuar nga: Komuna