Shtatoret e Dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci - Drenas

 Shtatore

Fehmi Lladrovci lindi më 15 Maj 1956 në fshatin Shkabë (ish-Gllanasellë) të komunës së Drenasit. Ishe i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit. Ka qenë pjesëtar i një familjeje me tradita të shquara të ardhetarisë. Shkollën fillore e kreu në Dritan (ish- Dobrashec), të mesmen në shkollën teknike “19 Nëntori” -drejtimi i makinerisë-në Prishtinë, kurse në Zagreb të Kroacisë ndoqi studimet në Fakultetin Teknik-dega e makinerisë. Fehmiu që në moshën e re brumoset me ide patriotike. Ai i takonte plejadës së arsimdashësve të flaktë të kohës. Në vitet e para të shkollës fillore kishte mësues atdhetarin, mësuesin martir Fazli Greiçeci. Ishte njëri ndër militantët e çështjes kombëtare, i cili që herët kishte ndier mbi supet e veta peshën e robërisë shekullore të çizmes sllave. Dallohej me shumë tipare fisnike e burrërore, të cilat e dallonin Fehmiun nga moshatarët e tij.
Për shkak të veprimtarisë politike ilegale, Fehmiu, në fillim të shtatorit të vitit 1985, burgoset nga Sigurimi serb dhe dënohet me 10 vjet burg.
Xhevë Krasniqi – Lladrovci u lind më 1 qershor 1955, në Drenoc të Malishevës. Ajo rridhte nga një familje e shquar intelektualësh dhe patriotësh. I ati i saj, Abdyl Krasniqi, ishte arsimtar dhe i burgosur politik, për shkak të veprimtarisë patriotike. I njëjti i nxori eshtrat e Azem Bejtës nga shpella e thellë 70 metra, ku e kishin fshehur. Edhe e ëma e Xhevës, Hanife Bujupi – Krasniqi, rridhte nga një familje patriotike nga Orllati i Drenasit. Xheva u rrit dhe u edukua në një familje me tradita shqiptare. Ajo ishte fëmija i parë ndër 17 djem e vajza të tjera të babait të saj, pasi nëna e saj kishte vdekur e re dhe babai i ishte martuar për herë të dytë. Xheva ishte një vajzë jashtëzakonisht e mençur dhe e zonja. Ndonëse e rritur në një familje shumëanëtarëshe dhe në rrethana të vështira të asaj kohe, ajo ia kishte dalë mbanë që të përfundonte edhe fakultetin, për më tepër kishte përfunduar dy të tillë. Heroina Xhevë Lladrovci kishte mbaruar Fakultetin e Letërsisë dhe atë Juridik.
Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër personalitetet më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.
Fehmi Lladrovci ka qenë komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, e cila pas rënies, mori emrin e tij.

  • Listing ID: 2475
  • E ndërtuar nga: Komuna