Memoriali i Dëshmorit Valiant N. Ferizaj - Kodrali, Deçan
Ky memorial u ndërtua në nderim të dëshmorit Valiant Ferizi.
Memoriali u ndërtua nga Familja dhe përmban varrin e dëshmorit, pllakën përkujtimore për dëshmorin, pllatonë, rrethojen.
Dëshmori Valiant Ferizi u lind më 25 maj të vitit 1975, në një familje të arsimuar dhe me tradita atdhetare në fshatin Kodrali të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ndërsa të mesmen, Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, po ashtu në Deçan. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin Filologjik, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Ishte nxënës i mirë, student i mirë, person i sjellshëm, human, i gjithanshëm, i cili mbi të gjitha e donte drejtësinë, familjen, kombin, atdheun.
Si i ri mori pjesë në gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara kundër okupimit serb, qoftë në Deçan apo në Prishtinë. Mori pjesë edhe në demonstratën studentore më 1 tetor 1997 në Prishtinë dhe në të gjitha demonstratat tjera që pasuan në pjesën e parë të vitit 1998, në përkrahje të UÇK-së.
Valianti si student i vitit të tretë, i la studimet për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vendlindje, duke kryer një varg detyrash të rëndësishme, dhe duke u dalluar në vijat e frontit gjatë vitit 1998, sidomos në Gërdaja të Carrabregut, që ishte ndër pikat më të ekspozuara para armëve të armikut serb.
Në UÇK-së inkuadrohet më 25 maj 1998, duke u sistemuar në njësitin e Shtabit Lokal të fshatit Kodrali. Stërvitjet ushtarake i kreu në Gllogjan e Kodrali.
Në fillim të muajit korrik 1998, Valiant Ferizi sistemohet në Policinë Ushtarake të Zonës Operative të Dukagjinit, të cilën e drejtonte Fadil Nimani – Komandant “Tigri” (dëshmor), me ç’rast caktohet të veprojë në vijën e frontit Gerdaja – Irzniq – Kodrali, ku dha kontribut të çmueshëm edhe në mobilizimin e rekrutëve të rinj. Po ashtu, vazhdimisht arrinte të siguronte medikamente për ushtarët dhe civilët e plagosur. Edhe babai i Valiantit, Njazi Ferizi, profesor i gjuhës angleze dhe drejtor i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, ishte ndër ata intelektualë të paktë që u kthye në fshatin e lindjes për të ndarë fatin me luftëtarët e lirisë dhe me popullin e vet.
Pas ofensivës së shtatorit 1998, kur radhët e UÇK-së ishin tkurrur dukshëm,Valiant Ferizi bashkë me një grup shokësh të fshatit të tij nuk pranon kurrsesi që armët e lirisë t’ia dorëzojnë pushtuesit serb, por në rastin më të parë u bashkohet luftëtarëve të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Gjatë kësaj kohe ishte sistemuar në Kompaninë e Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Gjatë kësaj kohe mori pjesë dhe u dallua në një varg betejash, si në Ratishë, Dashinoc, Lumëbardh, Pozhar, Kodrali, etj.
Valiant Ferizi me bashkëluftëtarët e tij, deri më 11 maj 1999,veproi në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, kur u transferua në Batalionin Gardist të Zonës Operative të Dukagjinit.
Më 11 maj 1999, sipas urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u formua Batalioni i Tretë Gardist, i cili mori emrin e luftëtarit, organizatorit e komandantit të shquar Shkëlzen Haradinaj, i rënë më 16 prill të atij viti në mbrojtje të popullatës civile në malet e Duboçakës në afërsi të Maznikut. Komandant i Batalionit u emërua Abdyl Mushkolaj.
Në këtë periudhë gjithë Zona Operative e Dukagjinit ishte përfshirë në luftime të pandërprera përballë forcave ushtarake e policore serbe, në të cilën zonë ishin koncentruar forca të shumta serbe. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare po bënin një qëndresë heroike në të gjitha vijat e frontit. Prandaj si rezultat i luftimeve të pareshtura çdo ditë po binin dëshmorë luftëtarët më të mirë të UÇK-së, por edhe numri i të plagosurve gjithnjë po rritej. Për këtë arsye, në maj të vitit 1999, me qëllim të dhënies së ndihmës mjekësore të plagosurve në frontet e luftës në Zonën Operative të Dukagjinit, Batalioni i Tretë Gardist urdhërohet nga Komanda e Zonës për përcjelljen e të plagosurve deri në Shqipëri. Bashkë me këta luftëtarë ishte edhe një grup i luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut, që shkonin në Shqipëri për të sjellë armatim, si dhe një pjesë e popullsisë civile.
Në grupin për transferimin e luftëtarëve të plagosur bënte pjesë edhe Valianti.
Edhe pse i vetëdijshëm për rrezikun e madh, njësiti i UÇK-së, i prirë nga luftëtarët e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, nën drejtimin e Abdyl Mushkolajt dhe njësitit vëzhgues të Shkumbin Demalijajt, mori detyrën për të transferuar grupin e luftëtarëve të plagosur rëndë në drejtim të Shqipërisë. Luftëtarët e plagosur duhej të barteshin nëpër zonat e kontrolluara nga armiku. Nga Mazniku kaluan në Broliq, e pastaj në Strellc, për të vazhduar nëpër Bjeshkët e Strellcit.
Më 24 maj 1999, pas rrugëtimit të vështirë dyditor, nëpër terren të vështirë, kolona e luftëtarëve kishte arritur të kalojë Bjeshkën e Strellcit. Sapo arrin në një pozitë të caktuar, mjegulla e dendur që kishte mbuluar bjeshkën deri aty, davaritet dhe kolona ndodhet para zjarrit të gërshetuar të mitralozave të rëndë të njësive elite të ushtrisë kriminale serbe të cilat kishin zënë pritë. Edhe pse në një pozicion tepër të rëndë e të vështirë, pa municion të mjaftueshëm, me shumë të plagosur, të lodhur nga rruga e gjatë dhe e mundimshme, Valianti dhe bashkëluftëtarët e tij bëjnë qëndresë titanike. Kjo qëndresë u dëshmua me rënien e pesëmbëdhjetë luftëtarëve të lirisë, madje edhe të njësitit pararojë të Batalionit Gardist. Aty ranë në fushën e nderit gardistët Valiant Ferizi, Përparim Ferizai, Nuredin Gërvalla e Përparim Shala. Ranë dëshmorë edhe Fehmi Demiqi, Naim Berisha, Xhavit Islami, Nazmi Gradina, Islam Krasniqi e Limon Morina si dhe luftëtarët e plagosur në fronte të ndryshme të luftës: Hajrush Demaj, Metë L. Krasniqi, Hysen Mehmeti dhe Nimon Musaj.
Njëherësh aty u plagosën rëndë e lehtë njëmbëdhjetë luftëtarë të lirisë. Rëndë u plagosën Sali Feriza, Abdyl Mushkolaj, Shkumbin Demaliaj, Diamant Hasani, Hamid Cacaj, etj. Edhe eprori i Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Ramë Ukaj, që ishte i plagosur rëndë plagoset sërish.
Trupat e katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në Qafë të Bogiqes, u morën nga forcat serbe dhe për disa vite u konsideruan të zhdukur. Më vonë ata u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello, nën poligonin e qendrës stërvitore të Njësive Speciale të ish-Armatës Jugosllave, në rrethinën e Klladovës, në një varrezë me trupat e 81 shqiptarëve të Kosovës.
Aty u gjetën edhe eshtrat e dëshmorit Valiant Ferizi. Pas identifikimit të tyre ata u varrosën në vendlindjen e tij, në Kodrali, më 9 shtator 2004.
Bashkë me Valiantin, në altarin e atdheut nga familja e tij e ngushtë në altarin e lirisë kanë rënë edhe babai i tij, Njaziu dhe axha, Shaqë Avdia (Ferizi), rapsod i njohur.
Për jetën dhe veprën e Valiantit është shkruar në librin e dëshmorëve të Universitetit të Prishtinës “Në kërkim të dijes dhe lirisë”, në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit” të Hasan Hasanit. Atij i janë kushtuar shkrime edhe nga autorë të tjerë.
- Listing ID: 2851
- E ndërtuar nga: Familja
- Nr parcelës:: 00132-2