Memoriali i Familjes Gërvalla - Dubovik, Deçan

 Memorial

Ky memorial u ndërtua në nderim të veprës dhe heroizmit të Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Në këtë memorial gjinden varret e dy heronjëve dhe nënës Ajshe, pllatoja e gurit, hapësira përreth, staza të ecjes.

Memoriali u ndërtua nga Komuna e Deçanit.

Jusuf Gërvalla (1943 -1982)

Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit. Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan. Kur kishte vetëm 6 vjet i vdiq i ati. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë për të mbaruar shkollimin. Pasojat e ndarjes nga familja dhe nga vendlindja do të hetohen më vonë në formë të një puhie trishtimi të pranishëm në shumë poezi të tij. Pasi mbaron shkollën e mesme në Pejë, regjistron fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë fillon të punojë në Teatrin e Kosovës. Në këtë cilësi, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit shkon në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur para të burgosurve dramën e njohur “Duke pritur Godonë”. Jusufi shfrytëzon nga rasti për t’u dërguar burgosurve politikë aty një mesazh mbështetjeje e simpatie: “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen…” Mirëpo me t’u kthyer kupton se letra kishte rënë në dorë të policisë. E marrin në pyetje, bëjnë presion mbi të dhe për pasojë e heqin nga puna. Më 1971 punësohet në Shkup si përkthyes, në Flakën e vëllazërimit. Më 1972/ 1973 shkon në shërbimin ushtarak. Më 1973 fillon të punojë në Rilindje, ku më vonë, më 1978, do të jetë redaktor i faqes për radion dhe televizionin.
Ndërkohë ai është këngëtar me emër në estradën e Kosovës, ku kishte incizuar rreth 200 këngë.
Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e pjesëtarëve të LNÇKVSHJ-së, në mesin e të tjerëve edhe të vëllait të tij Hysenit, ai kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova. Me ndihmën e të vëllait Bardhit, kalon në Austri dhe pastaj në Gjermani, ku kërkon strehim politik. 

Në mërgim Jusufi do të merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, dalin krejt tre numra. Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës”. Dalin dy numra.
Në verë të vitit 1980 ai bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materialet e organizatës dhe njëherit disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë”. Dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVSHJ-së për komunën e Deçanit.
Plagoset për vdekje në atentatin e 17 janarit 1982 dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronn-it.

E gjithë jeta e tij përmblidhet në një frazë të shkruar nga ai vetë në një shkrimkushtrim: Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.

Bardhosh Gërvalla (1951 – 1982)

U lind më 1951, në Dubovik. Ishte tetëvjeçar, kur familja bashkë me të mërgoi në Slloveni. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene. Pastaj u kthye në Kosovë dhe u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, ku studioi anglishten. Gjatë kohës së studimeve ai këndoi e komponoi këngë bashkë me të vëllain, Jusufin.
Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludwigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova, të cilëve vazhdimisht u doli në ndihmë, duke u bërë këshilltar e mbrojtës i tyre. Me daljen e Jusufit jashtë, ai u bë krah i djathë i tij. E vuri atë në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave. Organizoi e udhëheqi një mori tubimesh e manifestimesh të mërgimtarëve që kishin për synim zgjërimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe sensibilizimin e opinionit të huaj lidhur me çështjen e Kosovës. Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajt e të gjitha rangjeve shlirshëm dhe me shumë kompetencë. Ishte organizator i shkathtë, njeri i vendosur dhe i guximshëm. Disa herë rresht është përballur edhe fizikisht me konsujt jugosllavë, kur këta të fundit fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin në mes të Evropës t’i pengojnë edhe me grushte aktivistët e Lëvizjes gjatë veprimtarisë së tyre. Shtëpia e tij në Gjermani ishte sofra dhe streha i të gjithë hallegjinjve dhe njerëzve që kishin vendosur t’i dalin shtetit serb përballë.

  • Listing ID: 7069
  • Viti i ndërtimit: 2016
  • Vlera e ndërtimit: 14,953.52 Euro
  • E ndërtuar nga: Komuna
  • Nr parcelës:: 00148-0