Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti - Orllan, Podujevë

 Kompleks Memorial

Ky kompleks memorial u ndërtua për nder të veprës dhe heroizmit të heroit Zahir Pajazitit. Menjëherë pas lufte, me iniciativë të Komunës së Podujevës dhe të donatorëve privat, filloi ndërtimi i kullës –muze. Kurse, në vitin 2012 kompleksi kalon nën menaxhim të MMPH-së, ku edhe u ndërtuan fazat tjera të kompleksit. Kompleksi përmban: kullën- muze, amfiteatrin, varrezat, objektin administrativ, shtatoren e Zahir Pajazitit, fontanën (shatërvanin), flakadanin, shëtitoren, shtegun, parkingjet, ndriçimin. Nga viti 2015 kompleksi ka kaluar nën menaxhimin dhe mirëmbajtjen e AMKMK-së.

Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962, në fshatin Turuqicë të Podujevës. Nga shkolla u përjashtua për shkak të  bindjeve të tij militante, bindje që konsideroheshin të  papranueshme nga drejtoria e shkollës, arsyetim që përdorej zakonisht për ata nxënës që kishin pikëpamje tjera nga pikëpamjet e zyrtarëve të Krahinës Autonome të Kosovës. Në vitin 1980, bashkë me dy shokë të tij, Raif Sfishtën dhe Nexhmi Dabinofcin, e kalojnë kufirin e Shqipërisë ilegalisht dhe për këtë burgosen në Shkodër, ku edhe mbahen 18 ditë në burg. Pas kthimit në vendlindje, ai burgoset nga policia lokale e Orllanit dhe dënohet me burg për kundërvajtje meqë ishte i moshës së mitur. Në vitin 1981 fillon studimet  në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës – Degën e Gjuhës Angleze. Po në atë vit rekrutohet në shërbimin ushtarak për 12 muaj dhe në vitin 1985 e vazhdon atë edhe për tre muaj të tjerë në Beograd. Në vitin 1991 Zahiri shkon në Shqipëri me qëllim për të kryer stërvitjet ushtarake, në mesin e një grupi militantësh nga Kosova. Pas mbarimit të stërvitjeve, në vitin 1992, kthehet në Kosovë por ndërkohë grupi i tij ilegal zbulohet dhe Zahiri për disa muaj vepron ilegalisht. Asokohe veproi në drejtim të  furnizimit me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit, ku edhe vepronte grupi i tij gueril, ilegal. Gjatë viteve 1993-1994, Zahir Pajaziti me militantët e tij  angazhohet në zgjerimin e pikave të UÇK-së edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Ishte  njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh, si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim. Shquhej si organizator i aftë, i cili kishte ushtruar edhe autoritet të pakontestueshëm në mesin e shokëve edhe për faktin se merrte pjesë në ballë të aksioneve guerile, që ndërmerreshin veçanërisht në rajonin e Llapit.

Veprimtaria atdhetare e Zahir Pajazitit sidomos gjatë viteve 1995-1997 ka qenë jashtëzakonisht e intensifikuar.  Në janar të vitit 1997 grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb. Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar me veturën e tipit “Llada” nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë me bashkëluftëtarin Edmond Hoxhën nga Juniku dhe nipin e tij Hakif Zejnullahun. Atë ditë forcat serbe e kishin identifikuar veturën dhe i kishin përcjellë me vëmendje lëvizjet e saj. Prita kryesore i kishte zënë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në  fshatin Pestovë. Në momentin kur Zahiri, me bashkëluftëtarët e tij, e hetuan pritën filluan sulmin me qëllim për ta çarë rrethimin, por në kushte të një prite të përgatitur me forca të shumta policore, çdo përpjekje për të bërë tutje ishte e kotë. Trimat nuk ishin dorëzuar, ndërsa breshëria e armëve armike kishte goditur pamëshirshëm veturën e tyre, kishin rënë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në varrimin e tre dëshmorëve të UÇK-së morën  pjesë dhjetëra mijëra liridashës nga Llapi, Prishtina dhe mbarë Kosova. Varrimi ishte kthyer në një manifestim të qëndresës, që paralajmëronte se djalëria e Kosovës tashmë kishte marrë armët dhe së shpejti do të fillonte përleshja vendimtare, për jetë a vdekje. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, Zahir Pajazitit  ia ndau dekoratën më të lartë shtetërore,  Urdhrin “Hero i Kosovës”.

 

  • Listing ID: 2769
  • Viti i ndërtimit: 2012-2014- MMPH
  • Vlera e ndërtimit: 1,622,136.65 Euro- MMPH
  • E ndërtuar nga: MMPH dhe AMKMK
  • Nr parcelës:: 00795-0, 00796-0, 00797-0, 00798-0, 00753-0