Kompleksi Memorial "Baza e UÇK-së" - Lladoc, Podujevë

 Kompleks Memorial

Ky kompleks memorial u ndërtua për nder të rolit që kishte si shtab (ndër të parët) i UÇK-së. Kompleksi përmban kullën-muze, amfiteatrin, shtatorët e heronjve: Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe Ilir Konushevcit, fontana (shatërvane) dhe pishina, automjetin e konservuar, parkingun, shtigje dhe gjelbërim. Kompleksi u ndërtua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2012. Kurse nga viti 2014 kalon nën menaxhim dhe mirëmbajtjen e AMKMK-së.

Më 31 janar të vitit 1997,  ndodhi njëra nga betejat e para madhore, frontale, e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me ushtrinë dhe policinë serbe. Rrugës për një mision të veçantë,  në afërsi të fshatit Pestovë, tre luftëtarë u ndeshën me forca të shumta të policisë, të sigurimit të fshehtë dhe njësi speciale serbe, të përforcuara me helikopterë dhe tanke. Të rënët ishin Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962, në fshatin Turuqicë të Podujevës. Nga shkolla u përjashtua për shkak të  bindjeve të tij militante, bindje që konsideroheshin të  papranueshme nga drejtoria e shkollës, arsyetim që përdorej zakonisht për ata nxënës që kishin pikëpamje tjera nga pikëpamjet e zyrtarëve të Krahinës Autonome të Kosovës. Në vitin 1980, bashkë me dy shokë të tij, Raif Sfishtën dhe Nexhmi Dabinofcin, e kalojnë kufirin e Shqipërisë ilegalisht dhe për këtë burgosen në Shkodër, ku edhe mbahen 18 ditë në burg. Pas kthimit në vendlindje, ai burgoset nga policia lokale e Orllanit dhe dënohet me burg për kundërvajtje meqë ishte i moshës së mitur. Në vitin 1981 fillon studimet  në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës – Degën e Gjuhës Angleze. Po në atë vit rekrutohet në shërbimin ushtarak për 12 muaj dhe në vitin 1985 e vazhdon atë edhe për tre muaj të tjerë në Beograd. Në vitin 1991 Zahiri shkon në Shqipëri me qëllim për të kryer stërvitjet ushtarake, në mesin e një grupi militantësh nga Kosova. Pas mbarimit të stërvitjeve, në vitin 1992, kthehet në Kosovë por ndërkohë grupi i tij ilegal zbulohet dhe Zahiri për disa muaj vepron ilegalisht. Asokohe veproi në drejtim të  furnizimit me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit, ku edhe vepronte grupi i tij gueril, ilegal. Gjatë viteve 1993-1994, Zahir Pajaziti me militantët e tij  angazhohet në zgjerimin e pikave të UÇK-së edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Ishte  njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh, si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim. Shquhej si organizator i aftë, i cili kishte ushtruar edhe autoritet të pakontestueshëm në mesin e shokëve edhe për faktin se merrte pjesë në ballë të aksioneve guerile, që ndërmerreshin veçanërisht në rajonin e Llapit.

Veprimtaria atdhetare e Zahir Pajazitit sidomos gjatë viteve 1995-1997 ka qenë jashtëzakonisht e intensifikuar.  Në janar të vitit 1997 grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb. Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar me veturën e tipit “Llada” nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë me bashkëluftëtarin Edmond Hoxhën nga Juniku dhe nipin e tij Hakif Zejnullahun. Atë ditë forcat serbe e kishin identifikuar veturën dhe i kishin përcjellë me vëmendje lëvizjet e saj. Prita kryesore i kishte zënë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në  fshatin Pestovë. Në momentin kur Zahiri, me bashkëluftëtarët e tij, e hetuan pritën filluan sulmin me qëllim për ta çarë rrethimin, por në kushte të një prite të përgatitur me forca të shumta policore, çdo përpjekje për të bërë tutje ishte e kotë. Trimat nuk ishin dorëzuar, ndërsa breshëria e armëve armike kishte goditur pamëshirshëm veturën e tyre, kishin rënë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në varrimin e tre dëshmorëve të UÇK-së morën  pjesë dhjetëra mijëra liridashës nga Llapi, Prishtina dhe mbarë Kosova. Varrimi ishte kthyer në një manifestim të qëndresës, që paralajmëronte se djalëria e Kosovës tashmë kishte marrë armët dhe së shpejti do të fillonte përleshja vendimtare, për jetë a vdekje. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, Zahir Pajazitit  ia ndau dekoratën më të lartë shtetërore,  Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Hakifi lindi në fshatin Lladofc, të komunës së Podujevës, më 22 qershor 1962. Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa të mesmen në Podujevë. Brumin dhe edukatën patriotike i mori nga rrethi dhe familja e tij. Hakifi u rrit dhe u formua në periudhën kur Lëvizja për Çlirimin e Kosovës konsolidohej çdo ditë e më shumë. Me dëshmorin Zahir Pajazitin, dajë e nip, ishin të pandashëm qysh si të rinj dhe brumosja me ide kombëtare nuk ishte e rastësishme. Ata, që të dy, i lidhi veprimtaria kombëtare dhe punuan së bashku derisa ranë në një pritë nga forcat policore serbe kur edhe u vranë. Meqë Hakifi, ashtu si edhe Zahiri, ishin njerëz të praktikës dhe të aksioneve, ata kishin krijuar një simpati për Ali Ajetin dhe shokët e tij, të cilët në vitin 1989 krijuan një grup të armatosur, që në popull u pagëzua si “Çeta e Llapit”. Ali Ajeti heroikisht u vra në shkëmbim zjarri me policinë serbe dhe shërbëtorët e tyre. Nga ky akt i Aliut, Hakifi hetoi se te pushteti dhe pushtetarët qe krijuar një frikë e madhe dhe njëkohësisht një simpati e jashtëzakonshme te masat e gjëra popullore. Kështu, ideja për t’u bashkuar dhe për të themeluar formacione të armatosura te Hakifi u bë edhe më e vendosur. Themelimi i UÇK-së edhe te Hakifi e krijoi ndjenjën e gëzimit dhe ajo gjeti aksionistin dhe ushtarin e devotshëm të saj. Në vitin 1995, posa u inkuadrua Zahiri me militantët e UÇK-së, së bashku me të hyri edhe Hakifi.  Ky i fundit, i ka ndihmuar të gjithë pjesëtarët e njësiteve guerile të UÇK-së në dërgimin e tyre afër vendit ku e kryenin aksionin, si dhe në përpilimin e planeve dhe aksioneve kundër zyrtarëve të pushtuesve serbë. Njëherësh, mund të thuhet lirisht, se Hakifi i ka furnizuar me armë shokët e ilegales.  Meqë Zahiri ishte hetuar nga policia serbe dhe vazhdimisht kërkohej, Hakifi ishte njeriu i vetëm i cili e dinte se ku ishte dhe ku vendosej Zahiri. Hakifi ra heroikisht në altarin e lirisë me shokët e idealit më 31.01.1997.

Ilir Konushevci lindi më 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë të Podujevës. Iliri ndjeku traditën familjare për të kundërshtuar okupatorin Serb. Më 13 maj të vitit 1992, Iliri së bashku me shokët: Rexhep Ukën, Selim Hazirin, Naim Hysenin, Lulëzim Podvoricën, Naim Hazirin, Bejtush Llugaliun dhe Shaip Hazirin e themeluan grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti e rrezikonte pasurinë e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake. Ky grup, në vitin 1993 (qershor), bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur. Në qershor të vitit 1996, ky njësit, përmes Rrustem Mustafës – Remit, bie në kontakt me komandantin  Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të. Pas vrasjes së Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, Iliri kalon ilegalisht në Shqipëri. Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, siç ishin Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi, Mujë Krasniqi, Ismet Abdullahu, Murat Ajeti,  etj. Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin (pas vrasjes së Luan Haradinajt). Pasi e formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së. Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror. Iliri ra dëshmor së bashku me Hazir Malën, më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga forcat Serbe, në Bajram Curr të Shqipërisë.

Edmond Hoxha ka lindur më 10 tetor 1975 në Junik të komunës së Deçanit. Familja e tij e kishte trashëguar traditën e luftës e të qëndresës kundër pushtuesve të të gjitha kohëve. Ishte vetëm gjashtëvjeçar kur, më 10 maj të vitit 1981, forcat policore jugosllave ia burgosën vëllain, Xhavitin, organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave të rinisë studentore të marsit dhe të prillit të vitit 1981. Tmerri që kishin lënë pas policët me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe arrestimit të vëllait, mbeten në kujtesën e Edmondit të ri, e cila do të mbushet pezëm e mllef kundër okupatorit. Edmondi, mësimet e para i mori në shkollën fillore të vendlindjes, në Junik. Shkollën e mesme e mbaron në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Prej vitit 1992 e deri në vitin 1996 Edmond Hoxha çdo verë e vizitonte vëllain e tij Xhavitin në Durrës. Pikërisht, në atë kohë të formimit të tij intelektual dhe atdhetar një rol të rëndësishëm luan edhe kontakti me shokët dhe të njohurit e vëllait të tij, Xhavitit, si, Jashar Salihu, Hajdar Salihu, Muhamet Rugova, Nasim Haradinaj, Beqir Hajrizi, Skënder Çeku, Xhavit Haliti e shumë të tjerë. Nën ndikimin e krahut revolucionar militant të lëvizjes kombëtare, Edmond Hoxha u bë kundërshtar i pakompromis i politikës nënshtruese pacifiste. Në vitin shkollor 1993/1994 regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve bie në kontakt me grupe militantësh që vepronin në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes vëllait të tij, Xhavitit, veprimtar i çështjes kombëtare, Edmondi u njoh me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, me të cilët fillon veprimtarinë në bërthamat e para të UÇK-së, nga mesi i vitit 1996. I vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e hapave që duhej të çonin drejt luftës finale për çlirim nga pushtuesi serb, Edmondi ishte shumë i vëmendshëm dhe konspirativ. Ishte i sinqertë me bashkëluftëtarët, i afërt e solidar me kolegët, kurse i dashur e i përzemërt me të afërmit. Edhe pse ishte në moshë më të re se Zahiri dhe Hakifi, Edmondi e fitoi besimin e tyre në sajë të syçeltësisë dhe vendosmërisë që tregonte në kryerjen e aksioneve ilegale.  Kishte marrë pjesë në aksione dhe kishte treguar aftësi të shkëlqyeshme në kryerjen e tyre. Pikërisht, për këto veti dhe për karakterin e tij të pathyeshëm, Zahir Pajaziti e mbante afër sa herë që kishte në plan të kryente ndonjë aksion delikat. Edmondi tanimë ishte njëri ndër komandot e shquar të UÇK-së. Edmondi ra heroikisht së bashku me shokët e idealit si ndër dëshmorët e parë të Lirisë së Kosovës.

 

  • Listing ID: 2775
  • Viti i ndërtimit: 2012-2014- MMPH
  • Vlera e ndërtimit: 1,212,393.74 Euro
  • E ndërtuar nga: MMPH, AMKMK
  • Nr parcelës:: 00437-0, 00436-0, 00443-0, 00426-0