Lapidari i Dëshmorit Ismet Krasniqi -Prishtinë
Ismet Sahit Krasniqi lindi, më 16 nëntor 1959, në Grashticë të Malësisë së Gallapit të Prishtinës.
Ai ishte i përndjekur dhe i burgosur politik para se të bie dëshmor në demonstratat më të përgjakshme të organizuara ndonjëherë në Kosovë, më 27 mars 1989 në Prishtinë.
Ismet Krasniqi, në veprimtarinë e tij kombëtare dhe angazhimet e tij, ishte ndër organizatorët e demonstratave përgjatë viteve ’80, në shumë qytete të Kosovës, dhe iu printe atyre në Prishtinë, si dhe në lagjen Kodra e Trimave (ish-Vranjevci).
Ai, para se të vritej nga milicia e atëhershme (serbe) ka qenë edhe i burgosur. Fillimisht, gjatë kohës sa ishte në shërbim ushtarak (në Karrlovac afër Zagrebit) ia montojnë një varg veprimesh dhe e dënojnë me burg, me që edhe ishte në grupin e militantëve kryengritës. Gjatë qëndrimit në burg, duke mos iu nënshtruar armiqve pushtues, Ismeti u mbijeton mizorive dhe torturave çnjerëzore. Pas kësaj e transferojnë në një tjetër qytet dhe e mbajnë gjatë tërë kohës të izoluar brenda kazermave ushtarake “jugosllave”.
Ishte burgosur edhe në vitin 1982, me akuzën se në të ashtuquajturën “ditë e stafetës së titos”, e kishte shqyer flamurin jugosllav dhe në shtizën prej druri ka vendosur flamurin me sfondin e kuq dhe shqiponjën e zezë dy-krenare në mes, simbolin kombëtar shqiptar.
Gjatë vuajtjes së dënimit, ka qëndruar në burgun famëkeq të Prishtinës, në Ferizaj dhe në Mitrovicë, ku po ashtu kishte përjetuar tortura të tmerrshme.
Ismet Krasniqi edhe pas daljes nga burgu, ishte arrestuar shumë herë dhe ishte marrë në pyetje në stacione policore, ishte torturuar për aktivitete e tij, dhe ishte nën vëzhgim gjatë tërë kohës.
Ismeti përgjatë viteve të 80-ta, ka mbajtur takime vetëdijesuese dhe mobilizuese me kolektivin e tij të punës në fabrikën e mobileve Përparimi (ish-Napredak) në Prishtinë dhe ka organizuar ndihma për minatorët e Trepçës gjatë kohës sa ata ishin në grevat e njohura të minatorëve. Atë do ta gjeje kudo ku mbaheshin takime, tubime e protesta për të mirën e kombit shqiptar, dhe kundër regjimit serbo-jugosllav në Kosovë.
Pesë ditë para se të bie dëshmor, Ismeti arrestohet në shtëpinë e tij në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në kryeqytet, e kërcënojnë edhe me likuidim fizik. Kjo aspak nuk e zmbrapsi, sepse ai ishte i vendosur në rrugën e tij për çlirim dhe bashkim.
Më 27 mars 1989, bie dëshmor për të mos vdekur kurrë, në demonstratat e organizuara në Prishtinë, pas një rezistence që iu bë forcave policore serbo-jugosllave, Ismeti ishte duke rezistuar së bashku me heroin e kombit Afrim Zhitia. Pas rënies së Ismetit, Afrim Zhitia dhe Fadil Vata (tash dëshmorë të kombit) dhe veprimtari Fatmir Brajshori marrin përsipër vendosjen e një pllake të mermertë mbi varrin e dëshmorit Ismet Krasniqi, Ndersa me 28 Nëntor 1999, komuna e Prishtinës, së bashku me të burgosur politik, ish-pjestarë të UCK -se, shoqataqë përfaqsonin vlera kombëtare, së bashku me bashkëveprimtarë të dëshmorit Ismet Krasniqi, I vendosin pllakë përkujtimore. Dhe, me 27 mars 2009 ne 20 vjetorin e rënies se deshmorit, simboli i rezistences dhe ashkimit kombëtar Adem Demaci I zbulon imazhin e dëshmorit afer pllakes ekzistuese, dhe te githa keto motive jane vendos ne monumentin e ndertuar nga komuna e Prishtinës I cili u inaugurua me date 16 Nentor 2024.
- Listing ID: 10762
- Viti i ndërtimit: 2024
- E ndërtuar nga: Komuna e Prishtinës