Memoriali i Dëshmorit Gëzim Ademaj - Ratish e Ulët, Deçan

 Memorial

Ky memorial u ndërtua në nderim të dëshmorit Gëzim Ademaj, nga Ratisha e Ulët, në Deçan.

Memoriali përmban varrin e dëshmorit, lapidarin, pllatonë, rrethojen.

Memoriali u ndërtua nga Komuna e Deçanit dhe Familja.

Dëshmori i kombit Gëzim Ademaj u lind më 1 shkurt 1961, në fshatin Qëndresë (ish-Ratish i Poshtëm) të komunës së Deçanit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkaq shkollën e mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, për shkak të rrethanave të vështira ekonomike, kreu një kurs aftësimi për polic, në Vushtrri, pas të cilit u punësua si polic në Ujmir të Klinës, ku punoi disa vite, deri në vendosjen e masave të dhunshme serbe. Në fillim të viteve ’90-të, Gëzimi ishte ndër të parët policë shqiptarë që e braktisi policinë, pa pranuar që të shërbejë nën regjimin okupues serb. Pas këtij akti u kthye në vendlindje, ku u mor me punë bujqësie. Pas një kohe u detyrua të emigrojë në Gjermani, ku mori statusin e azilantit politik. Mirëpo me krijimin e rrethanave të reja dhe shtimin e radhëve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i bindur se atdheu më shumë se kurrë kishte nevojë për kontributin e tij, në vitin 1997, Gëzimi u kthye në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Pas kthimit në atdhe mori pjesë aktive në të gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara kundër pushtuesit serb, si dikur në fillim të viteve ’90-të.

Gëzim Ademaj ishte ndër të parët që u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan, menjëherë pas Betejës së 24 Marsit. Sipas udhëzimeve të Shtabit për zgjerimin e radhëve dhe shtrirjen e mobilizimit ushtarak, që nga 20 prilli i vitit 1998, Gëzimi ishte anëtar i Shtabit Lokal të UÇK-së në Ratish, duke punuar në organizim dhe në masivizimin e radhëve të UÇK-së, por edhe duke marrë pjesë në luftime kudo që e kërkonte nevoja. Pas ofensivës së shtatorit 1998, dhe riorganizimit të radhëve të UÇK-së, u sistemua në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, si komandant togu, duke kryer me përgjegjësi të lartë detyrat luftarake, deri në rënien e lavdishme.

Më 27 janar 1999, Gëzimi me një grup bashkëluftëtarësh i përbërë prej 94 vetash ishte ngarkuar me detyrën ushtarake të shkonte përtej kufirit të dhunshëm, në drejtim të Tropojës për furnizim me armatim shqiptar. Natyrisht kjo detyrë ishte ndër më të vështira, pasi në të shkuar duhej të dërgoheshin në Tiranë për shërim luftëtarët e plagosur në beteja, kurse në të kthyer duhej sjellur me krahë armatim e municion, si dhe rekrutë të rinj që vullnetarisht po u bashkoheshin radhëve të UÇK-së në Kosovë. Ky grup i luftëtarëve të lirisë me të cilët ishte nisur Gëzimi, në rrethana tepër të vështira, gjatë tri ditëve (27, 28 e 29 janar) bie në tri prita të forcave ushtarako-policore serbe: te Ura e Terzive në Bishtazhin, në Goden dhe në Rogovë të Hasit. Në këto luftime të pabarabarta bien dëshmorë 21 luftëtarë të lirisë dhe nëntë martirë të fshatit Rogovë e Hasit.

Gëzim Ademaj u varros me nderime të larta ushtarake në vendlindjen e tij, më 8 shkurt 1999. Rënia e Gëzimit dhe e bashkëluftëtarëve të tij ishte humbje e rëndë për UÇK-në, por bashkëluftëtarët e tyre dhimbjen e shndërruan në forcë, për ta çuar në vend amanetin e të rënëve. Edhe dëshmori Gëzim Ademaj u bë simbol i luftës e i qëndresës dhe frymëzim për bashkëluftëtarët e tij, ndër ta edhe për të vëllain, Nazimin, që të luftojnë edhe më me këmbëngulje deri në përfundim të luftës.

 

  • Listing ID: 2817
  • E ndërtuar nga: Familja, Komuna
  • Nr parcelës:: 00495-6