Shtatorja e Hasan Prishtina - Vushtrri
Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Hasan Prishtina u lind në vitin 1873, në Vushtrri. Mësimet e para dhe disa klasë të shkollës së mesme i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do ishte vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, të cilin e konsideronte mik. Çela në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi, pas një bisede të vrazhdë, kishte nxjerrë rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe kishte goditur me 4 plumba trupin e Hasan Prishtinës. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinë me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.
- Listing ID: 2421
- Vlera e ndërtimit: 176,228.20
- E ndërtuar nga: Komuna