Shtatorja e Dëshmorit Adem Jashari - Vushtrri
Kolosët si Adem Jashari lindin rrallë. Megjithatë, ata dalin në përfaqe në kohë dhe në rrethana të caktuara, si Hektori në kohën antike, Spartaku në Romën e lashtë, Simon Bolivari në shekullin e 19-të, apo Çe Guevara në shekullin e 20-të. Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, meqë vepra dhe akti vetëflijues me tërë familjen, janë ngjarje unike dhe të veçanta në tërë historinë e qytetërimit njerëzor.
Familja me shumë anëtarë e Shaban Murat Jasharit ishte një familje me traditë të shëndoshë shqiptare. Të gjithë anëtarët e saj punonin në ngritjen e përbashkët të pasurisë familjare. Secili në punën e tij. Dikush në ara e në livadhe, dikush tjetër në punë, e dikush në mërgim.
Ademi, ashtu sikur edhe shumë të rinj liridashës të kohës, kishte edhe preokupime të veçanta. E donte dhe e çmonte armën. Aspironte lirinë e popullit të tij të robëruar dhe të nëpërkëmbur. I donte njerëzit, ndërsa shoqërohej sidomos me ata, të cilët shfaqnin interesim për të lënë gjurmë në kohë, për të vazhduar historinë aty ku kishte ngecur.
Adem Jashari ( 1955-1998) luftoi dhe ra heroikisht, më 6 mars 1998, (me 20 anëtarë familjes së ngushtë dhe afër dy fish më shumë nga familja e gjerë), në fundin e dominimit serb në Ballkan dhe fitoren historike shqiptare kundër pushtimit e dominimit të huaj. Kulla e tij ishte mbajtur në rrethim dhe në luftime për tri ditë rresht. Forcat ushtarake e policore serbe kishin zbarkuar me më shumë se 1000 forca të këmbësorisë dhe kishin vënë në përdorim artilerinë e rëndë. Rënia e tij heroike dhe martirizimi i tërë familjes i dha përmasa të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së, e cila rezultoi me fitore historike kundër Serbisë pushtuese e gjakatare.
Sot krenohen me lirinë edhe ata, të cilëve gjatë kohës së luftës u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut, derisa serbët po masakronin popullatën shqiptare dhe por e digjnin tërë vendin.
- Listing ID: 2423
- Viti i ndërtimit: 2007
- Vlera e ndërtimit: 50,000
- E ndërtuar nga: Komuna