Shtatorja e Dëshmorit Zahir Pajaziti - Prishtinë

 Shtatore

Zahir Pajaziti ka lindur në fshatin Turiçicë të Besianës (ish-Podujevë). Babai i tij, Qerimi, dhe nëna, Fatimja, i kishin rritur me mjaft vështirësi pesë djemtë dhe dy vajzat e tyre, duke mundësuar edhe shkollimin e tyre. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin shkollor 1976-1977, regjistrohet në Shkollën e Mesme të Policisë në Vushtrri. Edhe pse ishte nxënës i vëmendshëm dhe i zgjuar në mësime, në vitin e dytë mësimor, drejtoria e përjashton nga shkolla me pretekstin se nuk kishte përfillur rendin disiplinor të shkollës.

Vitin e dytë të shkollimit të mesëm e kryen në Orllan, ndërsa dy vjetët e fundit i mbaroi në qendrën shkollore të arsimit të orientuar “8 Nëntori”, në Besianë.Në verë të vitit 1980, së bashku me dy shokë të tij, Raif Sfishta dhe Nexhmi Dabinovci, shkon në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai e kishte kaluar ilegalisht kufirin përmes lumit Buna. Atje qëndron 18 ditë. Pas kthimit nga Shqipëria, Zahiri torturohet nga inspektorët e Sigurimit jugosllav. Gjatë periudhës kohore prej vitit 1994 e deri në vitin 1997, Zahiri ka zgjeruar rrjetin e bashkëmendimtarëve dhe të bashkëluftëtarëve. Ka mbajtur kontakte me Adrian Krasniqin, Qerim Kelmendin, Rrustem Mustafën, Ilir Konushevcin, Sejdi Ramën e me shumë të tjerë. Automjete të shumta të policisë ishin vënë në lëvizje dhe kishin filluar përcjelljen e veturës, të tipit “Lada”, ku ndodheshin Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, të tre të armatosur. Me të arritur në hyrje të fshatit Pestovë, policia serbe, pa kurrfarë paralajmërimi, fillon granatimin e veturës, ndërsa të tre trimat kishin arritur t’i kundërpërgjigjeshin sulmit të befasishëm. Atë ditë, bien në altarin e lirisë, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Me aktin e tij heroik, Zahir Pajaziti dëshmoi botërisht se në Kosovë ishte vënë në veprim brezi i çlirimtarëve, ishin vënë në veprim më militantët, të cilët nuk do të pyesnin për çmimin e lirisë.
Në nderim të veprës së tij heroike, Zahir Pajaziti është përjetësuar në shtatore bronzi, në Prishtinë.
Me emrin e tij gjatë luftës është emërtuar Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit.
Janë të shumta rrugët e sheshet, shkollat dhe institucionet në Kosovë që e mbajnë me nderim dhe krenari emrin Zahir Pajaziti.
Emrin e tij e mban me krenari edhe Kazerma e TMK-së në Llukar, afër Prishtinës. Për jetën dhe veprimtarinë e tij patriotike janë shkruar studime të shumta, janë krijuar sa e sa këngë dhe janë thurur shumë poezi

  • Listing ID: 1938
  • E ndërtuar nga: Komuna