Shtatorja e Dëshmorit Mehë Uka - Mitrovicë

 Shtatore

Mehë Uka lindi më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë. Ishte fëmija i gjashtë me radhë nga të dhjetët sa i kishin babë Rama dhe nënë Gjyla. Atë vit kur lindi Meha, siç rrëfejnë të moshuarit, bënte acar sa s’mbahej mend. Djaloshi lëshonte shtat atleti dhe merrte tiparet e një karakteri të pathyeshëm. Mësimet e para i mori në vendlindje e në Mitrovicë. Edhe vitin e parë të shkollës së mesme e kreu në Gjimnazin e Mrtrovicës, ndërsa tre vjetët tjerë i vazhdoi në Gjimnazin Matematikor të Prishtinës. Më 6 qershor 1979, në prag të vizitës së Titos në Kosovë, së bashku me shokë, në Mrtrovicë shpërndau parulla dhe afishe me mbishkrimin: Trepça punon – Beogradi shfrytëzon. Pranvera e madhe studentore e vitit 1981 djaloshin sypatrembur shaljan e gjeti të gatshëm. La mënjanë maturën dhe u vu në ballë të demonstruesve. Shpirti i tij luftarak shpërtheu vrullshëm më 26 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. UDB-ja i bie në gjurmë dhe e dënon me dy muaj burg. Mehë Uka s’ishte rastësi, por vazhdimësi e natyrshme e një tradite shekullore. Edhe qelitë e burgjeve serbe ia kishin dronë viganit të Kreshbardhës. Në janarin e egër të vitit 1984, sa ishte në shërbimin ushtarak, dënohet me shtatë vjet burg. Pas amnistisë në prill të vitit 1990, edhe Meha lirohet. Kosovën e tij të dashur e gjeti të mbërthyer me pranga. Me ca shokë formoi Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilin për pak muaj e udhëhoqi vetë. Sipas dëshmive të prezentuara në monografinë Mehë Ramë Uka të autorit Reshat Badallaj, mbështetur në dëshmitë e bashkëshortes së tij, Resmie Badallaj, thuhet se në mbrëmjen e 28 dhjetorit të vitit 1996 Meha ishte nisur në një detyrë të caktuar për në Mitrovicë. Në fshatin Lushtë, në hyrje të qytetit aty i është inskenuar vrasja aksidentale nga policia sekrete serbe.
Mirëpo, nga plagët e vërejtura në trupin e tij, ishte hetuar se nuk ishte fjala për aksident komunikacioni, por për likuidim të paramenduar. Sipas variantit të policisë serbe, Meha ishte aksidentuar me veturën e tij në një eskavator.
Gjatë kohës së luftës, emrin e Mehë Ukës e mori Brigada 141 e UÇK-së e ZOSH-it. Sot, me krenari këtë emër e mbajnë edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë, Shkolla Fillore në Bajgorë dhe sheshi kryesor në Mitrovicë.

  • Listing ID: 2125
  • E ndërtuar nga: Komuna