Vendi i Rënies së Dëshmorit Alban Sh. Ajeti - Gjilan

 Vend i Rënies së Dëshmorit

Alban Ajeti u lind më 5 Shtator në 1978 në Gjilan, ishte gëzimi i parë i bashkëshortëve: Sheqirit dhe Hazirës.Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjilan, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Mjekësisë- Dega e Farmacisë në Universitetin e Tetovës në vitin shkollor 1996/1997.
Albani në dukje ishte i pashëm, elegant, shtathedhur. Në personalitet, i këndshëm, i hareshëm, fjalëpakë, i dashur, por i ashpër e eksplodues kundër padrejtës, hipokrizisë, e më së tepërmi i ndjeshëm e i papërmbajtshëm për t’i shërbyer kombit, Atdheut. ai ishte shumë aktiv në aktivitetet politike që zhvillonte organizata studentore gjë që i mundësoi kontakte të vazhdueshme me personalitete të shquara politike e kombëtare të asaj periudhe.
Albani, njëkohësisht ishte shumë aktiv edhe në aktivitetet politike e ushtarake, që zhvilloheshin gjatë vitit ’98 në Bashkimin e Subjekteve Politike të Gjilanit si aktivist i strukturës rinore.
Insistimi i vazhdueshëm i Albanit, bëri që eprorët t’ia mundësojnë të shkojë në bazën e UÇK-së në Zhegoc, në fillim marsin e vitit 1999 bashkë me Tefik Zymberin, dëshmor i kombit, me të cilin edhe kishin bashkëpunuar në Gazetën “Bashkimi” dhe në aktivitetet politiko-ushtarake.
Në agun e 15 Prillit 1999, mijëra forca policore dhe ushtarake serbe me makineri e arsenal të paparë ushtarak kishin mësyrë nga të gjitha anët në drejtim të istikameve të UÇK-së. Pika e parë e sulmit për shkak të rëndësisë strategjike ishte ajo në Zhegoc të Epërm. Në këtë pikë, tok me bashkëluftëtarët e tij si: Sali Mustafën, komandant i Brigadës 171, Fadil Rashitin, Skënder Veselin, Raif Musliun, Bekimin e të tjerë. Pëllumbi ishte shndërruar në shqiponjë. Pas luftimeve të ashpra dhe në distancë shumë të afërt nga një pritë e befasishme, Alban Ajeti plagoset për vdekje.
Albani u varros në Zhegoc të Epërm dhe u rivarros, më 17 shtator 1999, në “Varrezat ë Dëshmorëve të Kombit” në Gjilan me nderime të larta ushtarake, nën përcjelljen e dhjetëra mijërave bashkëkombësve.

  • Listing ID: 1591
  • Viti i ndërtimit: 2020
  • E ndërtuar nga: OVL e UÇK-se