Bustet e Dëshmorëve Hanumshahe Abdullahu-Zymberi, Tefik Zymberi - Gjilan

 Bust

Tefik e Hanumshahe Zymberi, kanë qenë shokë të idealit, veprimtarë të pakursyer të çështjes kombëtare, luftëtarë të pandarë në jetë dhe në përjetësi.
Ndër emra të shumtë, që pasuruan historinë tonë jo vetëm me dije, mund dhe angazhim, por edhe me flijim, është edhe Hanumshahe Abdullahu ”Nushja”, e cila epopesë së UÇK-së i dha edhe një fanar, që shndriti edhe më shumë. Nushja u përfshi në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve, që më shumë se akt humaniteti e pajtimi u shndërrua në kushtrim për bashkimin e popullit dhe përgatitjen e tij për luftë të armatosur kundër pushtuesit. Në kuvende të shumta pajtimi ajo qëndronte në ballë, duke i udhëhequr ato. Duke marrë shembuj nga heroizmi i Shote Galicës, i Norë Kelmendit, i Tringës etj, ajo zbuste zemra të armiqësuara. Martesa me shokun e idealit, Tefikun, një patriot i madh i lëvizjes për çlirimin kombëtar, i ndihmoi edhe më tutje në rrugëtimin drejt lirisë. Tani e kishte edhe një krah të fortë, që i qëndroi besnik gjer në vdekje. Nushja kishte rol të rëndësishëm në këtë fazë fillestare të organizimit luftarak. Ishte muaji qershor i vitit 1998, kur shkalla e organizimit dhe rrethanat kishin ndryshuar, pra duhej menduar për forma të tjera të veprimit.
Në muajin mars 1999, një pjesë e Shtabit të Zonës vendoset në Malësinë e Zhegocit, kur bëhet rigrupimi i forcave dhe mbulimi i territorit në pikat e caktuara. Me t’u vendosur Shtabi në Zhegoc, Nushja qëndron në shtab, e shoqëruar nga Tefiku.
Rrethimi i hekurt kishte për qëllim shkatërrimin e bazave kryesore dhe forcave të UÇK-së e të popullatës. Për shkak të rrethanave të krijuara përkundër rrezikut të madh për të depërtuar drejt Gjilanit, Nushja dhe Tefiku me detyrë me 15 prill 1999 në orët e hershme të mëngjesit nisen për të hyrë në qytet. Por, armiku në atë mëngjes, kishte filluar ofansivën, kështu që Nushja, Tefiku dhe dy shoqërues bien në pritë dhe vriten, në krye të detyrës.
Rënia e Nushes dhe Tefikut për Shtabin e ZOK-ut ishte humbja më e madhe që kishte përjetuar deri atëherë. Kjo ishte humbje edhe për gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse nga radhët e saj u shkëputën dy luftëtarë, dy organizatorë, dy arsimtarë, dy veprimtarë të hershëm të lëvizjes dhe dy shokë të jetës dhe të idealit, që flijimin e shihnin si lindje të dytë

  • Listing ID: 1613