Kompleksi Memorial "Adem Jashari" - Prekaz, Skenderaj

 Kompleks Memorial

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe u ndërtua për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998. Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.

Më 5 mars të vitit 1998, forca të shumta terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe, me mjete të blinduara, kanë shpërthyer rrethojën e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skënderaj dhe janë vërsulur në shtëpitë e familjes Jashari.

Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pa asnjë kompromis, të përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje.

Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, dëshmitares së  kësaj Epopeje: “Ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. E vetmja që u vra atë ditë ishte Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim.”

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars të vitit 1998, luftimet, sipas rrëfimit të Besartës, filluan kështu: “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra bodrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Ademi, që luftonin nga një pozicion në tjetrin.”

Nga kjo mund të kuptohet se beteja vetëm sa po përshkallëzohej gjithnjë e më shumë, edhe përkundër dëmeve që po shkaktoheshin dita ditës.

Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së, Besarta i përshkruan edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jasharin, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve ishin fëmijë.

Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik mbyll një kapitull të dhimbshëm të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë të re. Ajo përkujtohet si beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve, që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve dhe që e frymëzoi çdo atdhetar.

 

  • Listing ID: 2647
  • Viti i ndërtimit: 1999-2022
  • Vlera e ndërtimit: 1,795,381.21- AMKMK, about 10 million Euro- MMPH
  • E ndërtuar nga: Muncipality of Skenderaj, MMPH , AMKMK
  • Nr parcelës:: 00593-0